Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, janë liruar nga akuza për korrupsion në rastin “Stenta 1”.
Në seancën që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka thënë se nuk ka prova që ata kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë, pasi që paraprakisht prokurorja kishte ndryshuar dispozitivin e aktakuzës.
Por në fjalën përfundimtare, më 29 korrik, sipas Betimit për Drejtësi, prokurorja Florie Shamolli, ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës duke u mbështetur në nenin 350 të Kodit të Procedurës Penale.
“Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se “nuk i janë nënshtruar ligjit të prokurimit”, është se ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, tha Shamolli.
Vlera e demit, sipas saj, nuk është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro siç ishte përcaktuar më parë në aktakuzë, por 11 mijë e 450 euro, shumë kjo për të cilën prokurorja tha se ishte sipas ekspertit financiar.
Ky rast penal është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave i koduar me emrin ‘Stenta’.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe Gani Shabani, ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.
Edhe
Apeli vërteton pafajësinë e Aganit dhe Shabanit në rastin “Stenta 1”
Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.
Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’, mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Ferid Aganit, Gani Shabanit dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangie nga tatimi”.