Mosdëgjimi i ndërkombëtarëve në lidhje me Rregulloren e BQK-së do të jetë me risk për Kosovën, kanë paralajmëruar zyrtarë të SHBA-së. Edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, bënë thirrje që mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen në kuadër të dialogut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur paralajmërimin për pasoja ndaj Kosovës, pas vendimit të Prishtinës zyrtare për të mos u sprapsur nga përcaktimi që t’i ndalojë valutat e tjera, përfshirë dinarin.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i tha Tanjugut të Serbisë se pasojat mund të aplikohen shkaku i veprimeve që i quajti të njëanshme, si në rastin e Rregullores së BQK-së që kërkon që pagesat të bëhen vetëm me euro.
Escobari u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për kthim në dialog.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, ka thënë Escobar për Tanjug.
Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
I pyetur nëse adresa për ndihmë për serbët e Kosovës është në Bruksel apo në Washington, ai ka theksuar se SHBA-ja e mbështet plotësisht dialogun nën udhëheqjen e BE-së dhe se po investohen të gjitha përpjekjet për vazhdimin e tij.
“Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspirata jonë më e madhe është që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, ka theksuar emisari amerikan.
Thirrje për kthim në dialog ka bërë edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ai ka thënë se SHBA-ja ka qenë shumë e qartë kur ka ndarë shqetësimet për Rregulloren e BQK-së.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, ka thënë Hill.
Faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA-në, ndonëse i ka dhënë të drejtë BQK-së për Rregulloren, ka kërkuar një periudhë të gjatë tranzitore, meqë ajo ndalon valutat e tjera, përfshirë dhe dinarin.
Autoritetet e Kosovës fillimisht caktuan një muaj kohën e tranzicionit.
Por, një ditë më parë, BQK-ja bëri të ditur se e ka zgjatur periudhën tranzitore për implementimin e Rregullores për operacione me para të gatshme. Sipas planit të publikuar, brenda një periudhe tremujore do të mundësohen informimi dhe bashkëpunimi i plotë me institucionet bankare për operacione me para të gatshme në valutën euro.
Nga pikat e përmendura në këtë plan janë: funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare e pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së, e aplikueshme për hapjen e zyrave.