Arbëri

Deklarata e Escobarit për dinarin shihet si presion mbi Kosovën

Si pjesë të presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës e kanë parë analistë të zhvillimeve politike deklaratën e së enjtes të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se shqetësimet e serbëve për dinarin përbëjnë çështje emergjente humanitare. E në Bankën Qendrore kanë thënë se që nga shkurti janë ende në pritje të përgjigjes së Bankës Popullore të Serbisë

Pa përgjigje të Bankës Popullore të Serbisë kanë mbetur opsionet e ofruara nga Banka Qendrore e Kosovës për zgjidhjen e telasheve, me të cilat përballen serbët në Kosovë që pas ndalimit të dinarit për pagesa.

Në BQK kanë thënë se që nga fillimshkurti nuk kanë marrë përgjigje nga institucioni financiar i Serbisë për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Për këtë situatë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të enjten se e përbën një çështje emergjence humanitare që kërkon adresim.

Qëndrimin e Escobarit nuk e kanë komentuar në Qeveri, dhe as nuk iu kanë përgjigjur pyetjeve se si është situata në terren.

Por deklaratën e emisarit amerikan, njohës të zhvillimeve politike e kanë parë si pjesë të presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës.

Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se Qeveria është dashur të jetë më afër qytetarëve që janë prekur nga fillimi i zbatimit të Rregullores së BQK-së rreth dinarit.

“Është dashtë që Qeveria e Kosovës së pari të ketë një komunikim më të mirë me qytetarët serbë në Kosovë. E dyta është se në fakt se t’i thua që ky vendimi për dinarin i propozuar nga BE-ja është i papranueshëm duhet të ofrosh një solucion se cila është zgjidhja. Nuk mund të jetë zgjidhja respektimi i kësaj rregulloreje së BQK-së, se këtë nuk është duke e pranuar bashkësia ndërkombëtare”, u shpreh ai.

E ekonomisti Mihail Gajiq ka thënë se terminologjia e përdorur nga Escobari është e ndërlidhur me situatën e vështirë ekonomike, me të cilën përballen serbët që pranojnë pagesa nga Serbia.

“Këto të hollat që i pranojnë në valutën e dinarit ose të paktën deri së fundi janë e vetmja e ardhur e tyre dhe kur e sheh këtë, ata janë njerëz që nuk mund të punojnë dhe e vetmja e ardhur e tyre janë ndihmat sociale që i pranojnë nga ana e Serbisë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, telashi nuk qëndron te konvertimi i dinarit në euro, por tek institucionet ilegale të Serbisë që veprojnë në Kosovë.

“Problemi është që shumica e këtyre institucioneve në Kosovë, në zonat e dominuara nga serbët, nuk janë ende brenda kornizës ligjore të Kosovës, që do të thotë se, si te të themi një komunë e vogël, ose për shembull një shërbim i asistencës sociale pranon para nga Serbia, çfarëdo valute qoftë, nëse nuk është i regjistruar, nuk e ka gjendjen bankare brenda kornizës ligjore të Kosovës. Mendoj që kjo është çështja e parë që duhet të zgjidhet, është shprehur Gajiq.

Me gjithë kërkesat nga ndërkombëtarët, autoritetet e Kosovës insistuan që të mos e shtyjnë zbatimin e Rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme, tek ofruan një periudhë tranzitore.