Çështje emergjente humanitare e ka cilësuar emisari amerikan, Gabriel Escobar, efektin që ka prodhuar Rregullorja e BQK-së mbi operacionet me para të gatshme e me të cilën ndalohet përdorimi i dinarit serb. Ai ka thënë se problemi duhet adresuar menjëherë. Pas takimit me kryeministrin Kurti, Escobar tha se i ka bërë atij disa propozime për gjetjen e një zgjidhjeje dhe ka treguar se çështja do të diskutohet të martën edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se të martën do të zhvillohen në Bruksel diskutime në lidhje me çështjen e dinarit.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai ka thënë të enjten se gjatë vizitës në Kosovë është ndarë shumë i shqetësuar nga rrëfimet e serbëve, të cilët janë prekur nga ndalimi i përdorimit të dinarit.
“Dinari, vendimi i Bankës Qendrore ka shkaktuar shumë vështirësi për disa qytetarë të këtij shteti dhe ne jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje. Por, mendoj se është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Dhe shpresoj që Qeveria është e përgatitur që të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën”, ka thënë ai.
Trajtimi i komunitetit serb është arsye që, sipas Escobarit, administrata amerikane ka telashe në raportet me Qeverinë e Kosovës.
Emisari i SHBA-së ka bërë të ditur se në lidhje me çështjen e dinarit ia ka bërë disa propozime kryeministrit Kurti pa ndarë më shumë hollësi për përmbajtjen e tyre.
“Mund të them që kemi pasur një takim shumë të mirë. Unë e kam bërë shumë të qartë që askush nuk mund të dëgjojë rrëfimet nga disa prej anëtarëve të komuniteteve më të ndjeshme që janë: personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët dhe të mos preken nga rrëfimet se si ky vendim ka ndikuar tek ta. Kryeministri e pranoi një gjë të tillë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, ka thënë Escobar.
Emisari amerikan u është kundërpërgjigjur edhe kritikave se Perëndimi është duke ia mbajtur anën Serbisë në raport me Kosovën. Ka renditur disa nga veprimet që tha se SHBA-ja ka ndërmarrë vitin e fundit, duke shtuar se gjithçka që kanë bërë gjatë kësaj periudhe ka qenë në favor të Kosovës.
“Menjëherë pas Ohrit kemi përkrahur kandidaturën tuaj për Këshill të Evropës, kemi përkrahur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Qëndruam me ju pas 24 shtatorit, e kemi marrë vendimin që t’ ju ofrojnë ‘Javelinë’. Më shpjegoni se si është e pabalancuar kjo. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën e do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë ai, dhe ka shprehur shpresën se Kosova “do të dëgjojë shqetësimet” e ndërkombëtarëve.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, vizitën në Kosovë e ka nisur të mërkurën. Gjatë qëndrimit të tij, përveç krerëve shtetërorë, Escobar ka takuar edhe përfaqësues të subjekteve politike e të shoqërisë civile.