Nxitje nga propaganda e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është konsideruar dëmtimi i një shtëpie të sapondërtuar në veri të Kosovës. Derisa pushtetarët kanë premtuar rinovimin e dëmeve që iu bëhet atyre, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se janë duke u marrë me hetimin e rastit.
Shtëpisë së ndërtuar të një qytetari shqiptar në veri të Mitrovicës iu vu flaka ende pa hyrë në të.
Ky objekt banimi ishte në mesin e atyre që institucionet e Kosovës kanë nisur t`i ndërtojnë me qëllim të kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre.
Derisa funksionalizimi i saj ishte nga fundi, drejt derës së hyrjes u hodh koktej molotovi.
Zjarri që la dëme jo të vogla u vërejt nga disa policë që ishin aty afër, në orët e para të së martës.
Sipas zv.drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, rasti si i tillë është i izoluar dhe se institucionet janë duke punuar në zbardhjen e tij.
“Ky rast konsiderohet të jetë i izoluar, nuk është ndonjë problem i madh për këtë djegie të kësaj dere që është bërë, kemi kaluar edhe situata shumë më të rënda, dimë me menaxhu situatën. Kemi policë këtu të mjaftueshëm, por kur shtëpitë janë të zbrazëta është pak ma problem”, tha Elshani.
Të martën, në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku është e ndërtuar shtëpia, ishte ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Tha se veprimet e tilla janë të nxitura nga propaganda e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk është hera e parë që po tentohet të pengohet ky proces, nuk është hera e parë që tentohet në këtë lagje të dëmtohen shtëpitë e ndërtuara. Natyrisht do t`i rindërtojmë sa herë që ka nevojë, por sigurisht që organet e rendit kujdesen që raste të tilla të mos përsëriten ose që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë, por e rëndësishme është që si qeveri e Republikës së Kosovës zotohemi që të gjithë qytetarët pa dallime etnike kanë të drejtë dhe do të kthehen në pronat e tyre”, tha Krasniqi.
Pasditen e së martës Krasniqi njoftoi për nisjen e intervenimeve në shtëpinë e ndërtuar.
Ai paraprakisht bëri të ditur se nga dy programet e Qeverisë deri më tani janë përfunduar mbi 50 shtëpi dhe se gjatë këtij viti pritet të ndërtohen edhe mbi 100 të tjera.