Një javë pasi Komisioni i Venecias ia ka dhënë ditën jeshile vettingut të pjesshëm, ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbledhur grupin punues.
Edhe ky takim është mbajtur pa përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor e atij Prokuorial.
Ministrja Haxhiu ka thënë që ata do të duhej të ishin të pranishëm veçanërisht pas opinionit të Venecias.
“Më vjen keq që sot nuk janë të pranishëm përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së megjithatë, ne jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë, përfshirë sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë qenë të pranishëm në fazat kur ne kemi hartuar koncept-dokumentin dhe tani meqenëse kemi një opinion të Komisionit të Venecias që është opinion profesional unë besoj që të gjithë duhet të jemi të unifikuar në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga opinioni i Venecias”, tha Haxhiu.
Haxhiu ka folur edhe për punën që duhet të bëhet në ndryshimet kushtetuese.
“Fazat më tutje do t’i dakordojmë bashkërisht, por fokusi duhet të jetë në çështjen e draftimit të amendamenteve kushtetuese në linjë me opinion e Venecias. E kemi një draft të amendamenteve kushtetuese që janë vlerësuar tash edhe me opinionin e Venecias, por duhet që të bëhet disa ndryshime dhe pastaj të njëjtat t’i procedohen Kuvendit të Kosovës dhe pastaj krahas procesit të trajtimit nga Gjykata Kushtetuese sepse siç e dimë amendamentet kushtetuese shkojnë për mendim në Gjykatën Kushtetuese, para se të votohen në Kuvend”, tha Haxhiu.
Përfaqësues të KPK-së dhe KGJK-së edhe më herët kanë bojkotuar këtë grup punues, meqë siç thanë, nuk janë marrë për bazë rekomandimet e tyre dhe se ky proces si i tillë rrezikon pavarësinë e këtyre dy institucioneve.
KOHA ka provuar të kontaktojë përfaqësues të këtyre dy institucioneve. Nga KPK ja nuk është përgjigjur askush.
Në KGJK kanë thënë që mosprania e tyre nuk ka të bëjë me ndonjë bojkot, por ftesa u ka shkuar me vonesë.
Megjithatë, nga kabineti i ministres Haxhiu kanë treguar prova që KGJK ishte ftuar qysh javën e kaluar për këtë takim.
Komisioni i Venecias ka rekomanduar ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në drejtësi, në veçanti për deklarimin e pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut brenda KGJK-së dhe KPK-së.