LAJMET E MBRËMJES

Edhe një dështim në Kuvend

Edhe për herë të 22-të ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë. Vazhdimi i së martës i seancës konstituive është ndërprerë menjëherë pasi nuk është votuar formimi i Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. E pas saj, përfaqësues të partive politike ia kanë bartur fajin njëri-tjetrit teksa asnjëri nuk e ka marrë përgjegjësinë për ngërçin e krijuar

Përfaqësues të taborëve politikë sërish kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e radhës në konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Të martën është përmbyllur pa sukses edhe vazhdimi i 22-të i seancës konstituive dhe i 14-ti për formimin e Komisionit për zgjedhjen e kryekuvendarit nëpërmjet votimit të fshehtë. 

Deputetë të PDK-së, LDK-së, AAK-së e Listës Serbe edhe kësaj radhe kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij Komisioni, teksa ata LVV-së dhe një pjesë e atyre të komuniteteve joshumicë kanë votuar pro formimit të tij.

E pas përfundimit të seancës, që zgjati vetëm pak minuta, në një ngjarje larg Kuvendit, kryeministri në detyrë e kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se përgjegjësia për konstituimin e legjislaturës së re u takon të gjithëve.

“Pra, fituesi e ka përgjegjësinë për formimin e qeverisë. Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë. Sidoqoftë, edhe kjo çështje e votimit të fshehtë tashmë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj e uroj për një përgjigje sa më të shpejtë nga ana e tyre”, ka thënë Kurti. 

Por, deputetë të PDK-së e LDK-së, përgjegjës për dështimin e kanë bërë Kurtin dhe partinë e tij.

“Bllokada e institucioneve të Republikës së Kosovës ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim. Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet dhe sfidat e tyre, e jo për të përmbushur egot dhe kryeneçësinë. Kosova është më e madhe se secili prej nesh”, ka thënë deputetja nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.

Njëjtë, fajtor Kurtin e ka bërë edhe deputeti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“I ke 48 deputetë, a e di çfarë fuqie politike është me i pas 48 deputetë, dhe nuk je në gjendje të ulesh me dikë me bo zgjidhje për me bo shumicë dhe thua që kjo nuk është urgjencë. Kjo tregon çfarë gjendje jemi. Prandaj, mos prisni prej LDK-së magji se s’mund të bëjë gjëra të tilla”, ka thënë ai.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka përsëritur opsionet e ofruara për dalje nga bllokada institucionale. 

“Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të LVV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë, ju kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje”, ka deklaruar Haradinaj.

I gatshëm për bashkëpunim me LVV-në është shprehur sërish kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por ka theksuar se gatishmëria vlen veç për Kuvend e jo edhe për Qeveri. 

“Nisma është e gatishmëri për partneritet në parlament.. sepse kemi arsyet e tona. Tani për tani nuk jemi të interesuar për qeveri”, ka thënë Limaj.

Në vazhdimin e 22-të të seancës konstituive, të pranishëm në sallë kanë qenë 109 deputetë nga 120. Prej tyre, 55 kanë marrë pjesë në votim. 54 kanë votuar pro formimit të komisionit zgjedhor që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa një kundër.

Seanca e radhës është caktuar për të enjten në orën 11:00.