Ka dështuar për të 19-n herë që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit. Sërish nuk ka pasur kuorum për formimin apo kundërshtimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. Partia fituese e zgjedhjeve dhe ato deri tash në opozitë kanë vazhduar ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën në Kuvend
Nga 1 maji nuk është dhënë asnjë alternativë nga asnjëri tabor politik për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit.
Në 10 përpjekjet e fundit seanca dështoi te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kalohet në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Njësoj ishte edhe të mërkurën.
PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja nuk propozuan anëtarë për komisionin për votim të fshehtë e as nuk morën pjesë në votim.
Për pasojë mungoi kuorumi, seanca u ndërpre dhe vazhdimi u caktua për të premten.
“54 deputetë kanë dhënë votën për, 1 ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Ndërpritet seanca, takohemi më 23 maj në orën 13:00”, ka kumtuar kryesuesi Dehari.
Pushtet e opozitë të mandatit të shkuar, që as prej më shumë se një muaji nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin, vazhdojnë ta hedhin përgjegjësinë tek njëri-tjetri për mosfunksionalizimin e institucioneve.
Partitë deri tash në opozitë, që e kundërshtojnë votimin e fshehtë deklarativisht por jo edhe me votë, thonë se përgjegjësia për zhbllokim i takon partisë fituese.
“I bëjmë thirrje deputetit Kurti të reflektojë, të zhbllokojë situatën në mënyrë që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më shpejt. PDK gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë e përgjegjshme dhe konstruktive dhe do të mundohemi të bëjmë çdo gjë në funksion të zhbllokimit të gjendjes së rëndë të krijuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
E përfaqësues të LDK-së vlerësuan se ngërçi nuk mund të zgjidhet pa marrëveshje politike.
“Çështja kryesore është marrëveshja politike. Çështja dytësore pastaj për ne është që nuk jemi të obliguar të votojmë një person në mendësinë antikushtetuese, tek i cili nuk e gjejmë veten në kuptimin e asaj se kush duhet të përfaqësojë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Doarsa Kica-Xhelili, deputete e kësaj partie.
Edhe përfaqësues të AAK-së thanë se ende janë të hapur për një kandidat konsensual.
“Ne i kemi dhënë zgjidhje Kosovës, jo atij, në fund të fundit jo Vetëvendosjes, duke premtuar votën tonë që në seancën e parë për kandidat konsensual. Nëse një ditë ka një kandidat konsensual nga LVV-ja, ne e votojmë. Ndryshe, është kah e torturon Kosovën që të vazhdojë të mbesë edhe deputet, edhe kryetar qeverie jashtëligjshëm”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Por përfaqësues të LVV-së, ani se nuk i kanë numrat, kanë vazhduar të përsërisin se e drejta për propozimin e kandidatit për kryetar Kuvendi i takon vetëm partisë fituese.
Këtë e tha deputetja Albulena Haxhiu, të cilën LVV-ja e ka propozuar për kryeparlamentare.
“Nuk është e qartë se çka do opozita. Në vazhdimësi kanë qëndrime të ndryshme. Është e qartë se kanë preferenca, kanë emra të përveçëm. Ne bazohemi në të drejtat kushtetuese, që vlejnë më shumë se çfarëdo preference tjetër. I takon LVV-së që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit, prandaj është e rëndësishme të votohet komisioni, të konstituohet Kuvendi dhe më pas të hapet rruga për krijimin e qeverisë”, ka thënë Haxhiu.
Një ditë më parë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka sfiduar partitë deri tash në opozitë që ta votojnë kryetarin e Kuvendit dhe ta testojnë atë nëse i ka votat për Qeverinë, për çka përfaqësuesit e këtyre partive kanë shprehur dyshime.
Në një intervistë në transmetuesin publik, Kurti tha se do të ishte fitore e partive deri tash opozitare, po qe se e votojnë kryeparlamentarin dhe Vetëvendosje nuk e krijon shumicën për ta formuar Qeverinë.
Por, deputetë të këtyre subjekteve politike e sfiduan Kurtin që ta ndryshojë emrin për kryeparlamentar dhe ta testojë ai opozitën se a i qëndron fjalës për votimin e një kandidati konsensual.
“Ka parti politike të cilat kanë deklaruar që do të votojnë kandidatë të tjerë të LVV-së. Ky është kompromisi politik, kjo është marrëveshja politike. Nëse t’i dëshiron të zgjedhësh kryetarin e Kuvendit, që të nisësh orën demokratike, shko, urdhëro tek ato parti politike që të kanë ofruar madje edhe emra, testoji tash ti ata. Pse po kërkon të të testojnë ty? Testoji ti ata, ta shohësh nëse e kanë të mirëqenë propozimin për dy kandidate gra, madje”, ka thënë deputetja e LDK-së, Kica-Xhelili.
Është kundërpërgjigjur edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Korda.
“Nuk mund t’i ketë votat për Qeverinë e të mos i ketë votat e njëjta për kryetaren e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Në intervistën e dhënë të martën mbrëma, Kurti deklaroi se PDK-ja minimalisht duhet të qëndrojë edhe një mandat në opozitë.
E, në PDK nuk komentuan mbi këtë deklaratë.
“Nuk i komentoj dëshirat e deputetit Kurti”, ka thënë deputetja Çitaku.
Kurti gjithashtu tha se marrëveshja me Nismën Socialdemokrate nuk u arrit për shkak të kushtëzimit të saj për ta marrë pozitën e kryeparlamentarit, post që, sipas tij, nuk i takon një partie me tre deputetë.
Por, ndryshe mendon njëra nga dy bashkëpunëtoret e Fatmir Limajt në Kuvend.
“Sa i përket çështjes se numrat e përcaktojnë vlerën se duhet të jetë apo jo një autoritet në krye të pozitave shtetërore, personalisht konsideroj se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, mirëpo peshën që ka një lider”, ka thënë Xhevahire Izmaku, deputete e Nismës.
Kurti duke iu referuar Fatmir Limajt, tha se komandant Çeliku ia mundësoi AAK-së kalimin e pragut.
Por, nga kjo është provokuar kreu i AAK-së.
“Po del Kurti i vërtetë, i cili për të mbetur në pushtet, i ndërron fjalët e veta”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se Kurti e ka angazhuar koalicionin VLEN të Maqedonisë së Veriut për ta siguruar votën e deputetit nga komuniteti goran, Adem Hoxha, që synon t’i bashkohet grupit të deputetëve të AAK-së.
“Me dhjetëra njerëz të VLEN-it po vijnë nga Maqedonia e Veriut me e kontaktu Adem Hoxhën, me kërkesë të Albinit. Ky është Albini”, ka thënë ai.
Nga grupi multietnik pos Adem Hoxhës, Kurti nuk ka arritur marrëveshje edhe me dy deputetë, Duda Baljen e Veton Berishën.