Nga kolona e banorëve të dëbuar me dhunë, më 2 maj të vitit 1999 ishin nxjerrë 116 civilë të fshatit Studime dhe brenda më pak se dy orësh ishin pushkatuar nga forcat serbe. “Na i morën prej dore, nuk guxonim të afroheshim, t’i marrim, as t’i shohim apo t’i prekim”, kujton me lot momentet e fundit me familjarët e saj Hatixhe Ferati. Ajo që rëndon më shumë në këtë ngjarje të tmerrshme, sipas kryeministrit Kurti, është se edhe 23 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë vendim gjykate
Njëzet e tre vjet më parë, 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, u vranë nga forcat serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë. Më 2 maj të vitit 1999, mes orës 20 dhe 21, civilët, përfshirë fëmijë, gra e të moshuar, ishin nxjerrë nga kolona e banorëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe ishin pushkatuar.
Hatixhe Ferati me lot në sy kujton momentet e fundit me familjarët e saj, të cilët iu vranë në këtë masakër.
“Na i morën prej dore, nuk guxonim të afroheshim, t’i marrim, as t’i shohim, apo t’i prekim. Kisha edhe plakun me vete, pasi nuk mund të ecte, fëmijët dhe vajzat. Këta i ndalën. Kurrë nuk më hiqen nga mendja si po e shihja fëmijën”, ka thënë ajo, shkruan “Kosovapress”.
Musa Gërguri, një tjetër familjar, i cili në këtë masakër humbi vajzat e tij 16 e 20-vjeçare dhe motrën 23-vjeçare, ka thënë se do t’i kujtojë gjithmonë, ndërsa mbetet me shpresën se masakra të tilla të mos ndodhin më.
“Shpresoj të mos ndodhë kurrë më siç ka ndodhur. Çka kemi të bëjmë, duhet të pajtohemi”, tha ai.
Edhe
Familjarët kërkojnë drejtësi për masakrën në Studime
Isa Gërguri ka thënë se familjarët po presim nga institucionet të vendoset drejtësi, duke i kapur e dënuar autorët e këtyre krimeve.
“Tmerr ka qenë, veç nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë natë në kolonë kemi qenë. Motra ka qenë 25-vjeçare, vajza e vëllait 20-vjeçare dhe xhaxhai ka qenë diku 63-vjeçar. Jeta e ka kështu. Kriminelët serbë po sillen të lirë, i njohim shumicën, po presim derisa të vendoset diçka”, tha ai.
në Studime të Vushtrrisë nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës është quajtur si më e tmerrshmja ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.
“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23-vjetorin e masakrës së Studimes, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit. “Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër, e bëjnë këtë masakër edhe më të rëndë”.
Ai ka shtuar se një nga dëshmitarët e asaj çfarë ka ndodhur në mbrëmjen e 2 majit, Idriz Popova, ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur. Por ajo që rëndon më shumë, sipas Kurtit, është se edhe 23 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë vendim gjykate që e dënon dikë për këtë masakër.
Edhe
Kurti: Krimet e Serbisë nuk harrohen, po sigurohemi që asnjë brez të mos e përjetojë më terrorin
“Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje”, është shprehur Kurti.
Kreu i Qeverisë ka kujtuar edhe arrestimin e luftëtarëve të UÇK-së, që edhe tani vazhdojnë të mbahen në burg nga Gjykata Speciale në Hagë, por që për masakrën e Studimes nuk është dënuar askush.
“Në momente si ky, na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndiejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë”, ka thënë Kurti.
Masakrën e Studimes e ka kujtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se më 2 maj 1999, forcat e regjimit serb brenda dy orësh pushkatuan 116 civilë, në mesin e të cilëve pati gra, fëmijë dhe një nënë shtatzënë.
Edhe
I është bërë apel Serbisë t’i dorëzojë kriminelët
“Që nga fëmija 5-vjeçar, nëna shtatzënë e deri te më i moshuari, u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidial serb brenda dy orësh. Kjo tregon qartazi për një krim monstruoz të planifikuar dhe për të cilin fatkeqësisht ende askush nuk është vënë para drejtësisë. Kjo është ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë”, ka thënë Osmani në deklaratën e lëshuar për media.
Ajo më tej ka theksuar se është obligim i institucioneve që të angazhohen për të vënë autorët e krimit para drejtësisë.