Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Familjarët kërkojnë drejtësi për masakrën në Studime

Në 23-vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë, familjarët kanë përkujtuar më të dashurit e tyre, të cilët u morën me dhunë dhe u vranë nga forcat serbe.

Më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë 116 shqiptarë, civilë të pafajshëm. Ata u nxorrën nga kolona me qindra njerëz që kishin marrë rrugë për në Shqipëri. Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Hatixhe Ferati me lot në sy kujton momentet e fundit me familjarët e saj, të cilët iu vranë në këtë masakër.

“Na i morën prej dore, nuk guxonim të afrohemi, t’i marrim, as t’i shohim apo t’i prekim. Kisha edhe plakun me vete, pasi nuk mund të ecte, fëmijët dhe vajzat. Këta i ndalën. Kurrë nuk më hiqen nga mendja si po e shihja fëmijën”, tha ajo.

Musa Gërguri, një tjetër familjar, i cili në këtë masakër humbi vajzat e tij 16 e 20-vjeçare dhe motrën 23-vjeçe, ka thënë se do t’i kujtojë gjithmonë, ndërsa mbetet me shpresën se masakra të tilla të mos ndodhin më.

“Shpresoj të mos ndodhë kurrë më siç ka ndodhur. Çka kemi të bëjmë, duhet të pajtohemi”, tha ai.

Isa Gërguri ka thënë se familjarët po presim nga institucionet të vendoset drejtësi, duke i kapur e dënuar autoret e këtyre krimeve.

“Tmerr ka qenë, veç nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë natë në kolonë kemi qenë. Motra ka qenë 25-vjeçare, vajza e vëllait 20-vjeçare dhe xhaxhai ka qenë diku 63-vjeçar. Jeta e ka kështu. Kriminelët serbë po sillen të lirë, i njohim shumicën, po presim derisa të vendoset diçka”, tha ai.

Masakra në Studime të Vushtrrisë, nga krerët e institucioneve të Kosovës është quajtur si një ndër më të tmerrshmet ndaj shqiptare gjatë luftës së fundit. /Ksp

Artikuj të ngjashëm