LAJMET E MBRËMJES

Dështon për të pestën herë konstituimi i komisionit për rezervën shtetërore

Në mungesë kuorumi nuk është konstituuar as të martën Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore. Deputetë të Vetëvendosjes nuk janë paraqitur në mbledhjen konstituive, e ligjvënës opozitarë akuzuan këtë parti e edhe kryeministrin Albin Kurti se kanë për synim pengimin e hetimeve

Për të pestën herë ka dështuar konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për dyshimet rreth keqpërdorimit të rezervave shtetërore.

Anëtarët e Komisionit nga radhët e partive opozitare, të martën, kritikuan ata të Vetëvendosjes, bojkoti i të cilëve ka dështuar përpjekjen e radhës për ta funksionalizuar këtë trupë hetimore.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili udhëheq komisionin, ka thënë se mungesa e deputetëve të partisë në pushtet nuk do ta ndalë zbardhjen e së vërtetës me rezervën shtetërore.

“Një sasi e grurit mungon. Ne nuk e dimë arsyen pse mungon. Dyshimet janë se ato janë keqpërdorur në portin e Durrësit. Pastaj, e dini që çështja e lidhjes së kontratës për ne është e dyshimtë për blerjen e vajit, pastaj mungesa e vajit, që nuk ka ardhë në Kosovë dhe shumë çështje të tjera do të dalin në publik”, ka thënë Qalaj.

Edhe ligjvënës të dy partive të tjera opozitare akuzuan kryeministrin Albin Kurti dhe partinë që ai drejton për përpjekje për t’i ndalur hetimet.

“Me cilindo anëtar me i ndërru, ata nuk do të vijnë, sepse janë nxënës dhe të dëgjueshëm të Albin Kurtit dhe kjo mospjesëmarrje e këtyre këtu, është me urdhër të Albin Kurtit”, ka thënë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.

Kritik u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Lëvizja Vetëvendosje, mazhoranca e ka këtë interes që t’i mbrojë ata dëshmitarë që ta mbulojë superfuqishëm këtë hajni, por ne nuk ndalemi deri në fund, duke mos u involvuar në përgjegjësitë që i kanë Prokuroria e Kosovës dhe Policia”, ka theksuar Lekaj.

Vetëvendosje nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me akuzat e ligjvënësve opozitarë.

Por bojkoti që ata u kanë bërë mbledhjeve të thirrura për konstituimin e komisionit hetimor është kritikuar edhe nga monitorues të punës së Kuvendit.

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka publikuar emrat e deputetëve të partisë në pushtet, për të cilët ka theksuar se po e pengojnë konstituimin e Komisionit.

“Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba dhe Erxhan Galushi janë deputetët që po e pengojnë hetimin parlamentar të rastit të “rezervave shtetërore”, pavarësisht votës ‘pro’ të 69 deputetëve – përfshirë edhe vetë partinë në pushtet”, ka shkruar Cakolli.

Një muaj më parë, Kuvendi ka themeluar Komisionin hetimor, pro të cilit kanë votuar edhe deputetë të Vetëvendosjes. Kjo trupë është ngritur me kërkesë të opozitës, pasi policia arrestoi dy zyrtarë qeveritarë dhe një biznesmen, nën dyshimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore.