Arbëri

Dështon mbledhja e Komisionit për rezervat shtetërore, mungojnë deputetët e pushtetit

Të hënën ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për rezervat shtetërore, pasi prezentë nuk ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Komisionit ad-hoc, Rashit Qalaj, ka deklaruar se përpos njërit, deputetët e tjerë të partisë në pushtet s’kanë dhënë arsyen e mosprezencës.

“Siç po e shihni, puna e Komisionit pamundësohet për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes, të atyre që vazhdimisht janë thirrur në ligj, rend, drejtësi. Sot vetëm një nga deputetët, kolegu Driton Hyseni ka lajmëruar që për shkaqe personale e për shkak të një angazhimi s’mund të vjen, që është një mungesë me arsye, e për të tjerët s’kemi asnjë informatë të vetme”, ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Dy javë më parë Komisioni për rezervat shtetërore ka mbajtur mbledhjen e parë. Konstituimi i këtij komisioni ka dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marrë pjesë në mbledhje.

Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro ka themeluar komisionin që do t’i hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin e rezervave shtetërore.