Pas shtatë dështimesh, të enjten është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Kjo, pasi ky konstituimi i këtij Komisioni, ka dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marrë pjesë në mbledhje.
E fillimisht, aty pati një përplasje ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi dhe deputetëve të opozitës.
Përplasja nisi me kërkesën e deputetit të VV-së për deklaratat e dhëna nga deputetët e opozitës lidhur me Rezervat Shtetërore. Sipas Thaçit, opozita ka bërë politike dhe ka kërkuar arrestimin e ministres Rozeta Hajdari.
“Ti Doarsë nuk je me dhanë moral politik këtu. Dihet çka ke bo me vullnetin e qytetarëve. Dëgjimi është virtyt nuk e ke, mos ndërhyj”, tha ai.
“Ti fole, a po ndalesh tash. Nuk mundesh me ndërhy. Rrugës ndryshoi qëndrimi dhe dolën te marrëveshjet ndërkombëtare”, tha deputetja Doarsa Kica-Xhelili.
Aty u përfshi edhe deputetja e tjetër e LDK-së, Valentina Bunjaku.
“Pse po më bon nervoz, këqyre punën tanë. Pse po hyn në personale”, ka thënë ajo.
Më pas reagoi edhe kryetari i Komisionit deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Nuk qëndron. Lëshoje deklaratën. Nuk është vullnet, por është koncesus që është arritur që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare, e VV-ja të vijë në Komision”, ka thënë Qalaj. /EO