Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rezervat shtetërore, akuza mes pushtetit e opozitës për pengim të hetimeve

Me përplasje pushtet-opozitë është shoqëruar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore. Opozita tha se procesi po zvarritet e pushteti akuzoi opozitën se ka për qëllim ta paragjykojë procesin. Kryesuesi i Komisionit, Rashit Qalaj, njofton se kanë nisur bashkëpunimin me Prokurorinë.

Akuza se deputetët e pushtetit nuk po duan ta gjejnë të vërtetën lidhur me çështjen e dyshimeve për keqpërdorime me rezerva shtetërore, kanë ngritur opozitarët në Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë rast.

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili dhe anëtarë të këtij komisioni kanë shprehur brengën që afati i hetimeve do të kalojë pa dalë në një konkludim.

“Ju kam akuzuar dhe absolutisht qëndroj prapa idesë që jeni duke e tjerrë diskutimin në komision në mënyrë që ta zvarrisni. Jemi në fund të shkurtit, është besim i imi, nuk ka diskutim këtu që e bëjmë e që ju nuk e ktheni në personale... Nuk jeni akterët adekuat për të treguar si të mos hyjmë në personale, nuk po flas për ty specifikisht zotëri Hyseni, por në përgjithësi për qasjen e grupit tuaj parlamentar. Për ty sidomos”, ka theksuar Kica-Xhelili.

Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, ka dërguar pyetje në drejtim të Prokurorisë Speciale lidhur me këtë rast dhe të hënën ka lexuar përgjigjen që ka marrë.

Mirëpo, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, dha vërejtje se së pari e kanë pranuar përgjigjen e pastaj pyetjen. Kjo nxiti polemika mes tij dhe deputetes Kica-Xhelili.

Deputeti i pushtetit, Driton Hyseni, tha se hetimet e komisionit po kanë tendenca të bëhen me paragjykim.

“Ne kemi një komision hetimor i cili synon të qartësoj procedurat. Nuk mund të hetojmë me paragjykim. Kjo për mua paraqet një paragjykim në kërkesën që keni bërë ju”, theksoi Hyseni.

Edhe në mbledhjet e mëhershme të këtij komisioni, ka pasur akuza nga deputetët e opozitës se kolegët e tyre nga pozita nuk janë të interesuar që ta hetojnë rastin.

Artikuj të ngjashëm