Deputetët e legjislaturës së nëntë janë mbledhur sërish të enjten, porse as kësaj radhe nuk kanë arritur që ta konstituojnë Kuvendin. Kjo është përpjekja e 27-të për ta zhbllokuar situatën. E, në shenjë revolte kundër mungesës së konsensusit mes deputetëve, tre qytetarë kanë mbajtur një protestë simbolike, duke i bllokuar me shirita dy hyrjet e Kuvendit
Njëzet e katër orë pas mbajtjes së vazhdimit të paraprak të seancës konstituive të Kuvendit, deputetët e shënuan të enjten edhe një dështim – të 27-in me radhë – për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Brenda pak minutave të seancës është konstatuar mungesa e kuorumit vendimmarrës, dhe mbledhja është ndërprerë. Sërish, deputetët nga partitë deri tash në opozitë, nuk kanë pasur votë pro formimit të Komisionit për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“50 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenime nuk ka, nuk kemi kuorum, seanca ndërpritet. Takohemi përsëri më 7 maj, në orën 11:00”, është shprehur kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Me gjithë ngërçin e krijuar prej 52 ditësh, taborët politikë – pushtet e opozitë – mbesin të barrikaduar në qëndrimet e tyre të kushtëzuara.
Në Partinë Demokratike (PDK) kanë thënë se për zhbllokimin e situatës në Kuvend i kanë dhënë propozimet e tyre, “meqë partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka krijuar shumicën parlamentare”.
“Nuk heqin dorë nga kandidati, edhe pse u kemi dhënë mundësi dhe u kemi ofruar një bashkëpunim që ta konstituojmë Kuvendin me ndonjë prej emrave të tjerë, që mund ta bëjnë këtë punë, por fatkeqësisht me gjasë duke mos i pasur numrat që ta bëjnë qeverinë, atëherë kanë vendosur që si barrikadë ta vendosin pikërisht një grua, të cilën, mendoj çdo ditë e më shumë, po e delegjitimojnë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka përsëritur se subjekti të cilin ajo e përfaqëson do të jetë reciprok në kushtëzime.
“Është qëndrim i yni që nuk do ta votojmë asnjë emër tjetër për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së, përpos Nait Hasanit dhe Sala Jasharit. Ndërkohë që edhe ne kemi vendosur reciprocitet ndaj LDK-së dhe nuk e pranojmë asnjë propozim prej anës së tyre. Nëse duam që të hyjmë në ciklin e dëshirave dhe ta shndërrojmë Kuvendin në vend të dëshirave, dhe jo në vend të numrave, siç do të duhej të ishte, atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh”, ka thënë ajo.
Në shenjë revolte ndaj mbledhjeve pa rezultate, të enjten tre qytetarë kanë mbajtur një protestë simbolike para dy hyrjeve të objektit të Kuvendit.
“Simbolikisht e mbylla derën e Kuvendit, kam kërkuar prej të gjithë deputetëve që i kam takuar sot, që të qëndrojnë në ndërtesë derisa të arrijnë një marrëveshje politike çfarëdo qoftë ajo”, është shprehur avokati Arianit Koci, njëri nga protestuesit.
Si përgjigje ndaj bllokadës së krijuar nga 15 prilli, të mërkurën “Vetëvendosje” ka propozuar që në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare. Por, deputetë, të cilët në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, kanë shprehur qëndrimin se mbajtja e dy palë zgjedhjeve njëherësh do të prodhonte pasoja.
“Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor, sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha. Në ndërkohë, ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuar dhe kohën që e ka marrë për numërim të votave nga ana e KQZ-së. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuar do të shkaktonte probleme të mëdha”, ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami.
Të njëjtin qëndrim e ka ndarë edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Kjo çështja e zgjedhjeve nacionale bashkë me lokale është për ta bërë politike. Nëse duam ta bëjmë për qytetarë, mendoj që këto duhet të jenë të ndara. Nëse duam të shkojnë në favor të politikës, duhet t’i bëjmë bashkë. Nuk mendoj që duhet të shkojnë në favor të politikës, por duhet të shkojnë në favor të qytetarëve”, ka thënë ai.
Të dielën do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës konstituive, e të hënën bëhen katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të shkurtit.