Kuvendi ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e 25-të. Pas dështimit të iniciativës për votim të fshehtë, përfaqësues të partive politike kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngërçin në Kuvend. Në LVV kanë thënë se presin që Kushtetuesja sa më parë t’iu tregojë deputetëve se si duhet të vazhdojnë tutje, ndërsa në opozitë, zgjidhjen e shohin, siç kanë thënë te “reflektimi i partisë fituese të zgjedhjeve”
Deputetët e legjislaturës së nëntë, të hënën, kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin për herë të 25-të.
Me 104 deputetë të pranishëm, 51 votuan për dhe një kundër, çka bëri të dështojë për herë të 17-të iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta themeluar komisionin zgjedhor për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Deputetët e partisë fituese në zgjedhje, Vetëvendosje, kanë thënë se po presin zgjidhje të ngërçit në Kuvend, teksa kanë akuzuar partitë opozitare për qasje, siç janë shprehur, diskriminuese ndaj kandidates Albulena Haxhiu.
Kanë thënë, po ashtu, se presin përgjigje nga Kushtetuesja për zgjidhjen e ngërçit.
“Sot janë bërë tri javë që kur një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta interpretuar pikërisht çështjen e votimit të fshehtë, ndërkohë që ne mbesim ende sot pa një përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese, për atë se si duhet të vazhdojnë tutje deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në të njëjtën kohë jemi në pritje të një përgjigjeje për një kërkesë që e ka dërguar Lëvizja Vetëvendosje, që ndërlidhet me votimin e mërgatës në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, i kemi dy kërkesa të cilat presin përgjigjen për t’u trajtuar prej Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që në anën tjetër kemi një numër të deputetëve, të cilët për të 17-n herë radhazi nuk marrin pjesë fare në votim dhe pamundësojnë krijimin e komisionit për ta ecur përpara procedurën e votimit të fshehtë”, ka thënë Arbreshë Kryeziu-Hyseni, deputete nga radhët e LVV-së.
Ndërsa, kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, është ankuar për siç ka thënë “sulme seksiste”.
“Asnjëherë s’kam vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Kosovës. Për dallim se shumë prej deputetëve të opozitës në të kaluarën kanë votuar kundër interesave të Kosovës... sulmet seksiste, mizogjene kanë qenë të papranueshme jo vetëm për mua, por për secilën grua në politikë. Shqetësimi im është se këto sulme seksiste dhe mizogjene, të cilat fyejnë gratë, i dekurajojnë gratë e tjera, që të jenë pjesë aktive e politikës”, ka thënë Haxhiu, që është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë.
E nënkryetarja e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, edhe një herë ka kërkuar reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas saj, faji për bllokadën është te partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Kuvendi dhe institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbesin të bllokuara, për shkak të kryeneçësisë së LVV-së. Edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim. Kosova është më e madhe sesa secili prej nesh veç e veç”, ka thënë Çitaku.
Në Lidhjen Demokratike kanë vlerësuar se kontributin e tyre po e japin me pjesëmarrje në Kuvend. Kanë insistuar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat që propozon LVV-ja.
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk mund të pritet zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese për një krizë që është politike.
“Një marrëveshje politike është përtej urgjencës, pasi Kosova përfundimisht është në krizë politike, e cila, në mungesë të funksionimit të Kuvendit edhe ekzekutivit, e pamundëson me ecë. Mirëmbajtja, kujdestaria në qeveri, edhe ashtu me probleme, pasi edhe deputet dhe ministër nuk është e drejtë dhe legjitime, e bën këtë vend me pauzu”, ka thënë Haziri.
Takimi i radhës i deputetëve do të jetë më 4 qershor në orën 11:00.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri më tash kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit, është bllokuar seanca.