Asgjë e re as këtë të martë sa i përket Kuvendit të Kosovës. Deputetët e kësaj legjislature sërish kanë dështuar. Kanë dështuar ta formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, e rrjedhimisht e dështuar ka qenë edhe “përpjekja” për konstituim të Kuvendit.

Gjithçka shkoi njëjtë si 46 herët tjera. Deputetët u mblodhën, opozita e deritanishme provoi të flasë, deputeti më i moshuar në rolin e kryetarit të Kuvendit, Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndalë fjalën, u hodh në votim komisioni për votim të fshehtë dhe si përfundim dështoi. “Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, përkatësisht të enjten në orën 11”.

Në sallë ishin 105 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për asnjë kundër dhe asnjë abstenim. 

Pas përfundimit të seancës, opozita e deritashme zgjodhi sallën e Kuvendit të deklarohet, kurse pushteti korridorin. Sërish faji u hodh te të dyja palët, e vendimi i Gjykatës Kushtetuese u interpretua ashtu siç u konvenoi.

Lëvizja Vetëvendosje për disa herë nuk ka mundur të sigurojë votat për kandidaten për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Ndërsa, partitë e tjera e kanë kundërshtuar këtë propozim dhe kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë emrin e kandidatit. 

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

 

Kraki: Para se të shpresojmë te Lista Serbe, i kemi deputetët shqiptarë që do votonin fshehtë

4 o. më parë / 15 kor 2025 11:57
kraki

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, ka thënë se është e pakuptimtë që LVV-ja të akuzohet se po e bllokon formimin e institucioneve.

Ai u është përgjigjur akuzave nga partitë e tjera se VV-ja po përpiqet ta bëjë funksional votimin e fshehtë për të marrë votat e Listës Serbe. Siç ka thënë Kraki, para Listës Serbe janë deputetët shqiptarë që sipas tij shumica do të votonin për kandidatin e Vetëvendosjes nëse do të kishin mundësi të votonin fshehtë.

“Vota e fshehtë, fshehtësia kur shprehet vullneti i individit është kulmi i demokracisë. Ne të gjithë në zgjedhje votojmë fshehtë dhe kjo ideja që duhet votuar vetëm hapur... shikoni rregullat janë të qarta në Kuvend, votimi i fshehtë nuk është konsideruar jokushtetues... Presupozimet apo halucinacionet e disave që ndoshta ne po kërkojmë vota nga Lista Serbe, jo, se para se të shpresojmë te vota e Listës Serbe janë rreth 50 deputetë shqiptarë që jam i bindur që shumë prej tyre do rreshtoheshin me shtetin në momentin që votimi i fshehtë atyre ua mundëson të dalin nga turma”, ka thënë ai.

Opozita i kërkon VV-së ta ketë prioritet interesin e shtetit

4 o. më parë / 15 kor 2025 11:53
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnore Salihu, ka thënë se pas 47 dështimesh të konstituimit të Kuvendit ka dalë në pah se Lëvizja Vetëvendosje është bllokuesja. 

Pas mbylljes së seancës së Kuvendit, Salihu ka shtuar se Kuvendi është shndërruar në zyrë private të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. 

“A është ky Kuvendi i Republikës së Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit. Deputetët janë përfaqësues të popullit jo vegla të një njeriu që nuk njeh rregullore e as përgjegjësi... Ka vetëm propagandë, ka vetëm zbrazje të vendit. Qindra mijëra të rinj e kanë lëshuar Kosovën kohëve të fundit. Nuk kanë pasur kohë të merren me rininë sepse kanë qenë të zënë duke shkelur Kushtetutën. Problemi nuk është konstituimi, problemi është synimi për ta shkatërruar gjithë sistemin. Po kërkohet votim i fshehtë që askush të mos e kuptojë se ndihma po vjen nga Lista Serbe”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka kërkuar nga liderët politikë të demonstrojnë pjekuri politike dhe vullnet për të bërë kompromise në interes të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

Sipas tij, nuk duhet treguar të rrezikshëm ndaj njeri-tjetrit, por unikë kundër atyre që nuk e duan Kosovën stabile dhe në paqe. 

“Vendosja e interesit shtetëror mbi atë partiak për LDK-në çdo herë ka qenë referencë kyç e në veçanti kur jemi para vështirësive të ndryshme, para rreziqeve në ngritje. Ne sot po përballemi me rreziqe nga jashtë, po ashtu edhe të brendshme. Kërcënimi kryesor dhe i drejtpërdrejt vjen nga Serbia. Prapa i qëndron Rusia me aleatë. Në Kosovë gjenerohen probleme socio-ekonomike. Rritja e çmimeve të mallrave, kriza energjetike, kriza ekonomike dhe papunësia e lartë, krimi dhe korrupsioni. Në këtë gjendje nuk ka kuptim të bëhemi të rrezikshëm për njëri-tjetrin, duhet të jemi unikë si kurrë më parë dhe të rrezikshëm vetëm për ata që nuk e duan Kosovën stabile, të zhvilluar e në paqe”, është shprehur ai. 

Teksa deputetja e partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka përmendur rastin e Astrit Deharit, duke e akuzuar qeverinë në detyrë se i kanë zhdukur mostrat e këtij rasti vetëm për të mos u zbardhur.

“Isha dje në QKUK dhe e pashë fotografinë e Astrit Deharit me atë shprehjen e famshme “duam drejtësi për Astrit Deharin”. Ndjeva keqardhje, tash ky nomadi me partinë e vet, që nuk ka as shtëpi, por as pasuri siç e deklaron, ka ardhur në pushtet me kauza, duke mos kursyer as jetët e njerëzve, as të Astrit Deharit, dhe tash shihni kaluan gjashtë vjet të qeverisjes Kurti qe nuk ka drejtësi për Astrit Deharin. A kërkuan drejtësi as nuk e zbardhen rastin, por edhe i dogjën mostrat e rastit të Astrit Deharit e Institutin e Mjekësisë Ligjore për të mos u zbardhur rasti i Deharit. Kjo është qeveria Kurti që po udhëhiqet nga një nomad që e ka emrin Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Limaj për takimin me Kurtin: Do të tentojmë për më të mirën ndaj vendit

4 o. më parë / 15 kor 2025 11:48
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se do të takohet me kryetarin e  VV-së, Albin Kurti.

Këto deklarata ai i ka bërë pas përfundimit të seancës së 47-të për konstituim të Kuvendit.

“Do të tentojnë ta bëjnë më të mirën për vendin”, ka thënë ai para mediave.

Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se VV dhe NISMA e kanë bërë të qartë se kanë vullnet për bashkëpunim.

Zemaj për Kurtin e Limajn: Veç të kuptohen e të merren vesh për marrëveshje politike

4 o. më parë / 15 kor 2025 11:15
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka komentuar shkurtimisht për vullnetin për bashkëpunim të shprehur nga Lëvizja Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate.

Para se të fillonte seanca e sotme për konstituim të Kuvendit, Zemaj ka thënë se është e rëndësishme të merren vesh për marrëveshje politike.

“Veç të kuptohen e të merren vesh për marrëveshje politike... ata e kanë për pozicionet politike, për kryetarin e Kuvendit, ashtu siç është thënë edhe publikisht nga z.Limaj dhe deputeti Kurti, çështja ka të bëjë me emrin e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.

Ndërsa për mundësinë për mbajtjen e dy palë zgjedhjeve në një ditë, Zemaj ka thënë se kjo mund të sjellë abuzime të mëdha.

“Ne nuk preferojmë dy palë zgjedhje sepse është një lloj interferimi në politikat lokale dhe nuk u konvenon as qytetarëve të Kosovës të ketë zgjedhje me 3-4 lista, si dhe mund të ketë abuzime të mëdha, kemi pasur një përvojë në vitet e largëta të dy palë zgjedhjeve dhe nuk kanë rezultuar të suksesshme”, është shprehur ai.

Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me Nismën

5 o. më parë / 15 kor 2025 10:33
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se VV dhe NISMA e kanë bërë të qartë se kanë vullnet për bashkëpunim.

Para seancës konstituive të Kuvendit, Haxhiu ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti do të takohet me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj. Ajo ka shtuar se nuk pret konstituim të Kuvendit as në seancën e 47-të, pasi që sipas saj, opozita s’ka ndryshuar.

“Kryetari jonë, kryeministri Albin Kurti do të ketë takim me kryetarin Limaj. E kemi bërë të qartë që kemi vullnet nga të dyja palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që ende nuk ka asgjë konkrete”.

“Nuk besoj që do të ketë qëndrim as sot. I kemi përcjellë qëndrimet e opozitës, nuk është se ata kanë ndryshuar, dhe sot, kushdo që vjen në seancë, do të votojë sipas përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe sipas asaj që thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës, fatkeqësisht”, shtoi Haxhiu./ EO