Një dëshmitar, të cilin prokuroria në Hagë e prezantoi si pjesëtar të LDK-së dhe ish-komandant i UÇK-së, ka thënë se Hashim Thaçi ka punuar në të mirë të Kosovës. Në pjesën e hapur të seancës, në të cilën ai është marrë në pyetje nga mbrojtja, ka theksuar se Thaçi bashkëpunoi me LDK-në
Një anëtar i LDK-së dhe ish-komandant i UÇK-së gjatë viteve 1998-1999 ka përmbyllur dëshminë e tij në Hagë, të martën, gjatë së cilës ka thënë se Hashim Thaçi ka punuar për të mirën e Kosovës.
Pjesa më e madhe e dëshmisë së tij ka qenë e mbyllur, në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Por një përmbledhje të saj e ka bërë prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, James Pace.
“Në ’98-’99-n W04255, shqiptar i Kosovës ishte anëtar i LDK-së dhe i UÇK-së. Ka qenë edhe komandant i UÇK-së për një periudhë të caktuar kohore. W04255 mori pjesë në një takim ku Hashim Thaçi u prezantua si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm. Në një takim tjetër W04255 ishte i pranishëm ku Hashim Thaçi u prezantua si shefi i pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, që ishin të pranishëm”, ka thënë Pace.
Në pyetjet e avokatit të Thaçit, Gergory Kehoe, dëshmitari u përgjigj se në përgjithësi pas luftës Thaçi, që udhëhiqte PDK-në, bashkëpunoi me LDK-në.
“A është e vërtetë që nga 2001 deri në 2004 zoti Thaçi si kryetar i PDK-së u bashkua në koalicion me zotin Rugova, kreun e LDK-së, dhe zoti Thaçi u tërhoq pastaj, lejoi Bajram Rexhepin të bëhej kryeministër? A ka ndodhur kështu? Dhe ishte Thaçi ai që e mbështeti Rugovën në Parlamentin e Kosovës që të bëhej president, apo jo?”, pyeti avokati Kehoe, për të marrë përgjigjen e dëshmitarit: “Po, e saktë”.
Avokati Kehoe pyeti dëshmitarin edhe për bashkëpunimin ndërmjet Thaçit dhe LDK-së në kohën kur ai u bë kryeministër.
“Dhe nga 2007 deri në 2010 zoti Thaçi fitoi zgjedhjet parlamentare dhe u bë kryeministër dhe ftoi LDK-në që të bashkohej në koalicion për të formuar qeverinë, dhe Fatmir Sejdiu, personi që përmenda pak më parë nga LDK-ja, u bë president i Kosovës, apo jo?”, pyeti Kehoe, për të marrë pohimin e dëshmitarit numër 23: “Po”.
Dëshmitari tha se për të akuzuarin tjetër, Kadri Veseli, nuk kishte dëgjuar gjatë luftës.
“A e keni njohur Kadri Veselin në vitet 1998-1999 – ju jeni përgjigjur: Nuk e ka njohur kurrkush. Gjatë konfliktit ke dëgjuar ndonjëherë për të?”, pyeti avokati i Veselit, Ben Emmerson.
“Jo, asnjëherë”, u përgjigj dëshmitari.
Në këtë seancë gjykata ka njoftuar se është pranuar edhe një person në cilësinë e viktimës. Kjo e çon numrin e tyre në këtë proces në 141.