Një dëshmitar që tha se ishte anëtar i LDK-së dhe i UÇK-së u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ku krerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dëshmitari i dytë në këtë rast theksoi se në Malishevë nuk ishte kusht dorëheqja prej LDK-së për t’u bërë pjesë e UÇK-së, porse marrëdhëniet mes tyre i përshkroi si jo të shëndosha
Të hënën nisi dëshminë dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ku udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Dëshmitari nga Malisheva tha se ishte anëtar i LDK-së që nga fillimvitet ‘90 e më pas edhe pjesëtar i UÇK-së.
Në seancën ku shpesh nuk është kuptuar dëshmia e tij jashtë gjykatës, shkaku i deformimit të zërit, ai theksoi se “UÇK-ja dhe LDK-ja nuk kishin marrëdhënie të shëndosha”.
“Mendoj se nuk ishin bash të mira marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishim një pjesë e madhe të kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, qoftë në njësitin “Çeliku”, qoftë në njësitin “Lumi”. Mirëpo nuk kanë edhe bash si me thënë raporte të shëndosha, raporte të mira, ngase vazhdimisht e kanë bërë këtë presion që LDK-ja ta pushojë aktivitetin e vet në Malishevë”, tha dëshmitari.
“Kush e ushtronte këtë presion?” – pyeti prokurori James Pace.
“E ushtronte Drejtoria politike e UÇK-së, që ishte në Malishevë”, tha dëshmitari i dytë.
“Drejtori kishte komandant me aq sa dini ju?” – pyeti prokurori Pace.
“Për vende të tjera nuk e di e për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha po ashtu se ishte prezent në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë, i vrarë nga forcat serbe më 1997. Prokurori James Pace e pyeti për ngjarjen ku u bë paraqitja e parë publike e UÇK-së, e ku ishte prezent Rexhep Selimi. Sipas dëshmitarit, Selimi foli ashpër në raport me LDK-në.
“U kuptua, ngase fjala ishte te Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se kur thanë se liria nuk vjen vetëm me fjalë, nuk vjen vetëm me fjalë paqësore dhe me mjete paqësore, por duhet edhe të fillojë lufta”, tha dëshmitari i dytë.
“A u përmend LDK-ja konkretisht nga folësit?” – pyeti Pace.
“Ishte qëllimi aty”, tha dëshmitari.
“A mund të na e shpjegosh se si e kuptuat që ky ishte qëllimi, që i drejtohej LDK-së, megjithëse LDK-ja nuk ishte përmendur shprehimisht?” – pyeti prokurori Pace.
“Dihej se kush ishte prej Prishtinës, dihej se kush punon për jetësimin e mjeteve paqësore dhe me ato tjerat”, tha dëshmitari i dytë.
Në fjalët hapëse, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të ZPS-së, Alex Whiting, tha se shumica e viktimave nga veprat penale për të cilat akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi ishin shqiptarë dhe pjesëtarë të LDK-së, ndërsa për pjesën tjetër tha se ishin serbë dhe romë civilë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen nga ZPS-ja për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen se drejtpërsëdrejti morën pjesë në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë e Shqipëri. Ish-krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza.