LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari: Ditën e sulmit në Banjskë erdhën në hotel 4 persona të armatosur e një i plagosur

Në gjykimin ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë ka dëshmuar edhe njeriu që natën kritike bëri rojë në hotelin “Rajska Banjska”. Ai ka thënë se atë natë pranoi 4 persona të armatosur, të cilët e bartën një të plagosur. Ka dëshmuar edhe polici Halim Behramaj, i cili ka treguar se si zyrtarët policorë u sulmuan

Me pranga në duar e në përcjellje të lartë të zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit u ulën të martën në bankën e të akuzuarve.

Paraprakisht bisedat e zakonshme dhe ato fillestare i kryen me mbrojtësit e tyre e përshëndetje prej larg bënë edhe me familjarët.

E, më pas dëgjuan dy dëshmitarë, njëri nga të cilët bashkëkombës i tyre.

Në Themelore dëshmoi njeriu që ditën e sulmit në Banjskë të Zveçanit po ruante në hotelin që ndodhet në zonën ku dhjetëra serbë të armatosur sulmuan patrullën e Policisë së Kosovës.

Rade Nedelkoviq tha se ka pranuar në hotelin “Rajska Banjska” një grup prej 4 personash, që bartnin një të plagosur e të cilët i akomoduan në dhomën numër 6 të këtij hoteli.

“Veturë nuk kam parë, por i kam parë disa prej tyre të uniformuar. I kam paralajmëruar që të largohen nga tarraca. Unë të nesërmen kam shkuar në shtëpi dhe çfarë ka ndodhur me personin e plagosur nuk e di. Shefi nuk është që më ka urdhëruar për t’i akomoduar, por më ka thënë t’ia japë dhomën nr. 6”, ka thënë ai.

Në procesin gjyqësor ndaj tre prej sulmuesve të arrestuar, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, dëshmitari Nedelkoviq tha se e ka pasur të pamundur ta refuzonte kërkesën e personave të armatosur për t’i strehuar në hotel.

“Unë kam qenë i detyruar t’i lëshoj se kanë qenë të armatosur, nuk kam guxuar t’i refuzoj. Dy kanë mbetur, pra i plagosuri dhe një tjetër, e dy të tjerë janë larguar”, ka thënë ai.

Në sulmin e kryer në orët e para të 24 shtatorit të 2023-tës u vra polici Afrim Bunjaku. E, gjatë kundërpërgjigjes së Policisë, e cila zgjati deri në orët e pasdites, u vranë tre anëtarë të grupit terrorist, që është udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Serbët e përdorën si mburojë manastirin. 

Dëshmitari tha se të uniformuarit pasi vendosën të plagosurin në hotel vazhduan në këmbë në drejtim të manastirit.

Nedelkoviq tha se atë ditë pati edhe mysafirë të tjerë të akomoduar në hotel, por mohoi se aty ka qenë edhe shefi i hotelit, Marko Saviq.

“Kur ka ndodhur sulmi kanë ardhur të gjithë poshtë. Iu kam thënë largohuni nga dritaret se mund t’ju gjuajnë dhe më kanë dëgjuar. Unë kam dalë jashtë me shiku çfarë po ndodh, sa kam guxuar. Kam dëgjuar gjuajtje me armë, e kam thirrë vajzën pasi i ka katër fëmijë e më pas gruan për të parë a janë mirë”, ka thënë Nedelkoviqi.

E për të akuzuarin kryesor Milan Radoiçiq, tha se hotelin e tyre e vizitoi vetëm një herë.

Të martën në gjykatë dëshmoi edhe zyrtari policor Halim Behramaj, i cili ishte pjesë e patrullës që ishte afruar te një barrikadë me kamionë, që ishte vendosur natën kritike në Banjskë.

“Është dëgjuar një shpërthim i madh. Policët që kanë qenë afër barrikadës janë barrikadu aty, ndërsa unë dhe Avni Shala jemi vendosur prapa veturës”, ka thënë ai.

Behramaj tha se sulmi ishte mirë i organizuar.

“Në bazë të armëve të përdorura nga zhurma, kanë qenë kalibra të ndryshëm, gjithashtu ka pasur gjuajtje me armë më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosur ishte errësirë e plotë në fshat, na ka bërë të kuptojmë se është një grup i organizuar që ka pasë qëllim me ba dëm sa më të madh”, ka thënë ai.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej edhe dëshmitarja Dragana Antonjeviq, por ajo ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë e pranishme, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Krahas për tre të akuzuarit që ndodhen në paraburgim, Prokuroria Speciale më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë. Që të gjithë ndodhen në Serbi.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës e t’ia bashkojnë R. së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.