Veprime të menjëhershme nga Kosova dhe Serbia për depërshkallëzim të situatës presin nga Bashkimi Evropian. Të hënën, nga blloku evropian thanë se me t’u krijuar kushtet do të thërrasin takimin e radhës ndërmjet dy liderëve. Për këtë pritet të diskutohet edhe sonte, kur nga ora 20:00 kryeministri Albin Kurti do të presë emisarët Lajçak e Escobar
Ulja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, është synimi i Bashkimit Evropian para se të organizojë takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, të hënën, ka thënë se takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet kur të krijohen kushtet për të.
“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë”, ka theksuar Stano.
Për shtensonim të situatës dhe përgatitje të takimit, pritet të diskutohet edhe sonte, kur nga ora 20.00 kryeministri Albin Kurti do të presë emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe atë të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të depërshkallëzojnë situatën dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.
Para Lajçakut e Escobarit, Kurtit në zyrë i shkuan dy diplomatë të tjerë, ai i Francës e i Gjermanisë.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se palët janë pajtuar për nevojën e depërshkallëzimit të situatës në veri. Janë përmendur edhe zgjedhjet e reja në komunat veriore.
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Nga faktori ndërkombëtar është përmendur mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri si një ndër hapat për depërshkallëzimin e situatës, por serbët kanë vendosur kushte për këtë: largimin e Njësiteve Speciale të Policisë nga veriu dhe formimin e Asociacionit.
Tash e 10 ditë serbët po protestojnë në tri komunat veriore kundër futjes së kryetarëve të zgjedhur në ndërtesat kryesore komunale.