LAJMET E MBRËMJES

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, Rashiqin nuk e votojnë ish-partitë opozitare

Tre deputetë e gjashtë raunde votimi kanë mbetur në “lojë”, në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit - zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Në garë kanë mbetur dy deputetët e Listës Serbe, Igor Simiq e Miljana Nikoliq, dhe deputeti i Partisë së Pavarur Liberale, Nenad Rashiq. Kryetari i Kuvendit e ndërpreu seancën për t’ia dhënë edhe një mundësi Rashiqit që ka përkrahjen e deputetëve të LVV-së, por jo të partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë

Igor Simiqi, Miljana Nikoliqi e Nenad Rashiqi janë tre deputetët e vetëm që kanë mbetur në garë për nënkryetar Kuvendi. Për zgjedhjen e tyre kanë mbetur më së shumti edhe 6 runde votimi. Nga procedura e tërheqjes së shortit, Miljana Nikoliq mund të dalë tri herë në votim, Igor Simiq dy herë e Nenad Rashiq edhe një herë. Këta janë kandidatët e vetëm në garë pas eliminimit të 7 deputetëve të tjerë serbë, votimi i të cilëve u konsumua. Në seancën e së enjtes u ezauruan 13 runde votimi. I fundit qe deputeti Rashiq, për propozimin e të cilit kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësi e u mundua të krijojë më shumë kushte votimi.

“I ftoj të gjithë kolegët deputetë  të kthehen në sallë, t’i zini vendet tuaja. Kandidati i radhës i tërhequr nga shorti është deputeti Nenad Rashiq... Kam kënaqësinë që para Kuvendit të Republikës së Kosovës ta prezantoj për nënkryetar Kuvendi nga komuniteti serb deputetin Nenad Rashiq”, ka thënë kryetari Dimal Basha.

Për dallim nga 12 herët e tjera kur deputetët e Listës Serbe nuk e morën asnjë votë, Rashiqi u votua nga 56 deputetët e Vetëvendosjes e të pakicave joserbe. 

Kundër tij qe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, e abstenuan 20 deputetët e PDK-së e të Nismës.
LDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së as në këtë seancë nuk morën pjesë në votim.
Meqë Rashiq, i cili e ka mbështetjen e LVV-së, nuk i mori votat e mjaftueshme, kryeparlamentari nuk e vazhdoi procedurën e hedhjes së shortit.

Basha kërkoi që votimi tjetër për të të mbahet në seancën e radhës pasi, sipas tij, ka gjasa që Rashiqi t’i sigurojë votat për nënkryetar Kuvendi deri të shtunën, madje u kërkoi deputetëve angazhim në këtë drejtim.

“Unë si kryetar Kuvendi mendoj se gjatë diskutimeve me deputetë kolegë që kemi, ka pasur diskutime që mendoj se duhet të vazhdojnë edhe më tej, ku vlerësoj se në seancën tjetër deputeti në fjalë edhe mund t’i marrë votat e mjaftueshme për nënkryetar”.

Përveç Slavko Simiqit që u kandidua me propozim të Listës Serbe, të gjithë kandidatët e tjerë të kësaj partie që u nominuan përmes shortit, kanë marrë zero vota për. Simiqi të martën i mori 10 vota, nëntë të partisë dhe një të deputetit Adem Hoxha që iu bashkua grupit të AAK-së muaj më parë.

Por vota për Listën Serbe u bë sebep që AAK-ja ta përjashtojë nga grupi Hoxhën, i cili të enjten nuk u duk në Kuvend.

“Ne ia kemi bërë të qartë se nuk mund të jetë pjesë e jona nëse nuk voton sipas qëndrimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. 

Pas afro 60 seancave, të martën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh për kryetar Kuvendi duke marrë 73 vota. 

Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. 

Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe. 

Vazhdimi i radhës i seancës konstituive është caktuar të mbahet të shtunën.