Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot (e enjte), në përpjekjen e radhës për të konstituuar Kuvendin, e që tash po përballet me bllokadën e re. Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.
Tashmë ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga ky komunitet. Por votimi u ndërpre pasi votat nuk arriti t’i marrë as deputeti i vetëm serb e që s’i takon grupit të Listës Serbe, Nenad Rashiq. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Për shkak të insistimit për ta kandiduar vetëm Slavko Simiqin për nënkryetar, Lista Serbe e refuzoi votimin brenda seancës konstituive. Simiq në tri tentime nuk i mori votat e mjaftueshme për të marrë postin. E kryeparlamentari Dimal Basha u shpreh të martën se në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses, një kandidati i lejohet të votohet vetëm deri në tre herë në përpjekje për të marrë detyrën e kryeparlamentarit apo nënkryetarit të Kuvendit.
Pasi nuk propozoi emra të tjerë, Basha konstatoi se duhet të shkohet në votim me short. Në disa tentime nuk pati vota për deputetët e Listës Serbe, e më së afërmi numrit të shumicës ishte deputeti Nenad Rashiq. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi. Në votim s’morën pjesë deputetët e AAK-së dhe të Nismës.
E njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese kanë vlerësuar po ashtu se kryeparlamentari Basha ka bërë shkelje kur ka ndarë procedurën e votimit të dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.
“Në rast se nuk votohet asnjë kandidat nga komuniteti joshumicë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin, atëherë ka një moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e që përgjegjësia bie mbi kryetarin e ri të Kuvendit, për shkak se ai e ndërroi mënyrën e votimit. Kemi një gjendje të re jokushtetuese”, ka thënë Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Seanca e sotme nis në orën 11:00. Konstituimi nuk konsiderohet i mbyllur pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.
Pas konstituimit kalohet në rrugën për formimin e Qeverisë.
