LAJMET E MBRËMJES

Arrestimi i udhëheqësit të Mbrojtjes Civile nxit protestë, lëndohen tre policë

Policia e Kosovës ka arrestuar njërin prej udhëheqësve të formacionit paralel në veri, njëherësh i dyshuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milen Milenkoviq. Arrestimi i tij nxiti protestat e serbëve lokalë, me ç’rast janë sulmuar policët e Kosovës, tre prej të cilëve pësuan lëndime

Aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e njërit prej organizatorëve të sulmeve ndaj KFOR-it në veri dhe pjesë e formacionit paralel “Mbrojtja Civile”, Milun Milenkoviq – Llune, nxiti protestë disaorëshe të serbëve lokalë në Mitrovicën e Veriut.

Aksioni për kapjen e Milenkoviqit rezultoi me lëndimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pas rezistencës së hasur.

E protestuesit serbë nisën të mblidhen para mesditës, pak kohë pas lëshimit të alarmit.

Rreth 200 letra larg tyre, në lagjen e Boshnjakëve, qëndruan njësite speciale të Kosovës, e pranë protestuesve ishin pjesëtarë të KFOR-it.

Pas komunikimit që udhëheqësi i forcës së NATO-s pati me udhëheqës të njësisë speciale, u bë zhvendosja e tyre më në brendësi të lagjes së Boshnjakëve. E pas kësaj, edhe protestuesit nisën të shpërndahen.

E pas aksionit të arrestimit, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se Milenkoviq – Llune është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” që ka terrorizuar qytetarë ndër vite dhe që ka sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës e institucione. Sipas tij, ai ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe të Policisë së Zveçan.

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës do të përballen me drejtësinë”.

Arrestimin e Milenkoviqit dhe lëndimin e tre policëve e konfirmoi edhe Policia e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

“Mund të konfirmojmë se sot më datë 13.06.2023, në Komunën Mitrovicë-Veri, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për disa vepra penale. Gjatë arrestimit të personit të dyshuar është lënduar lehtë një (1) zyrtar policor. Pas operacionit, njësitet policore kanë hasur në rezistencë dhe janë sulmuar me ç’rast 2 zyrtarë policorë të rendit raportohet të jenë lënduar lehtë po ashtu. Të gjitha njësitë relevante policore janë duke u marrë me rastin dhe ofrimin e sigurisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Mediat serbe raportuan se arrestimi i Milinloviqit është bërë në një sallon flokësh në Mitrovicën e Veriut. Sipas dëshmitarëve, policët kanë hyrë në sallon dhe e kanë nxjerrë atë nga objekti.

Aksioni i së martës është realizuar pasi që serbët lokalë në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan i nisën protestat më 26 maj kundër vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale.

Nga përplasjet e 29 majit në Zveçan, 30 ushtarë të KFOR-it pësuan lëndime. Zyrtarë të kësaj force thanë javën e shkuar se prapa sulmeve ndaj tyre qëndrojnë grupet kriminale serbe.