LAJMET E MBRËMJES

Ambasadorja amerikane në NATO: Kemi qenë të shqetësuar për dhunën, kërkojmë shtensionim

Shenjat në rritje të paqëndrueshmërisë së situatës në veri kanë shqetësuar Aleancën Veriatlantike, ka thënë ambasadorja e ShBA-së në NATO, Juliane Smith. Gjatë një konference online me gazetarë, në prag të takimit me ministrat e mbrojtjes, ajo ka kërkuar shtensionim të situatës në veri dhe rikthim të palëve në tryezën e negociatave në Bruksel.

NATO-ja po vijon ta monitorojë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë pas sulmit të fundit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka thënë ambasadorja e ShBA-së në NATO, Juliane Smith. Gjatë një konference online me gazetarë, ambasadorja amerikane ka përmendur shqetësimet e Aleancës Veriatlantike ditën kritike të 24 shtatorit, kur grupi i armatosur serb u fut në Banjskë.

“Të gjithë kemi qenë këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët duke monitoruar nga afër situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi qenë të shqetësuar për shenjat në rritje të paqëndrueshmërisë dhe disa pika ndezjeje ku si rezultat i kësaj kemi parë një rritje të dhunës. KFOR-i mori vendim ditët e fundit për sjelljen e disa prej forcave të saj strategjike rezervë. Tani kemi pasur shtim të forcave tona prej disa qindra që vijnë kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania”, tha Smith.

Ambasadorja amerikane në NATO ka theksuar se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me akterët e sigurisë për të parë nëse ka nevojë për forca shtesë në Kosovë.

Ajo ka kërkuar që palët t’i rikthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe ka konsideruar se kjo është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve.

“Ne do të vazhdojmë t’u dërgojmë mesazh miqve tanë në rajon se e vetmja rrugë përpara drejt normalizimit është përmes dialogut të lehtësuar të udhëhequr nga BE-ja, i cili mbështetet fuqishëm në të gjithë aleancën e NATO-s. Kjo është një zonë e fokusit për aleancën dhe ne do të vazhdojmë ta shikojmë atë rajon dhe të kërkojmë de-përshkallëzim”, tha Smith.

Pas sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, KFOR-i e rriti kontingjentin e trupave në Kosovë. Janë paralajmëruar edhe trupa shtesë për të parandaluar përsëritjen në veri të skenarit të 24 shtatorit.