Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës dhe situata e krijuar në veri nxitën debat të tensionuar në seancën e Kuvendit, ku pati pretendime edhe për kërcënime.
Seanca nisi me shefen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, që iu drejtua serbëve në gjuhën e tyre dhe kërkoi nga ta të kthehen në institucione. I ftoi ata të mos lejojnë që Serbia t’i përdorë si instrument destruktiv kundër Kosovës.
“Qeveria e Serbisë ju ka shtyrë t’i lini vendet tuaja të punës, iu ka djegur veturat. Sot jeni nën presion. Ju lus ngrihuni dhe mos i mbani në supe këto tensione”, është shprehur ajo.
E kjo situatë në veri, sipas opozitës, u krijua nga veprimet e kryeministrit Albin Kurti, të cilat u cilësuan antiamerikane e të nxitura nga egoja.
“Me këtë veprim të kryeministrit sot kemi më pak shtet. Sot nuk ka gjyqtarë, policë, kryetarë të komunave e asamblistë në veri të Kosovës”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të pranohet kërkesa e SHBA-së.
“Veprimi i parë do të duhej të ishte që të pranohej kërkesa amerikane për shtyrje të vendimit deri në marrëveshje”, është shprehur ai.
Duke folur për sovranitetin në veri, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se këtë punë e ka kryer qeverisja e partisë së tij dhe se ekzekutivi aktual e ka obligim vetëm ta mirëmbajë.
Për të gjitha deklarimet e opozitës u kundërpërgjigj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Sa herë ka pasur kërkesë nga Beogradi e Vuçiqi, asnjëherë nuk iu keni thënë jo, gjithmonë ju keni thënë po. Po të kishit vullnet t’u thoshit jo marrëveshjeve, sot nuk do të përballeshim me këtë situatë”, ka deklaruar Haxhiu.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i është kundërpërgjigjur Haxhiut.
“Ne jemi ata që e kemi përzënë Veselinoviqin e Radojçiqin. Ne jemi ata që e kemi ngrehë Gjuriqin zvarrë në Prishtinë. Jemi ata që e kemi shtrirë sovranitetin”, ka theksuar Tahiri.
Pas kësaj deklarate, Tahiri nga ulësja e tij polemizoi me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, i cili tha se u kërcënua nga Tahiri.
“Ish ministri i Drejtësisë me sjellje prej një banditi me shurdhues, pasi tha një sërë akuzash u kthye nga unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh që i shoqëroi me të shara nga ulësja e tij”, ka thënë Bislimi.
Për këtë situatë, si dëshmitar doli ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Ftoj Prokurorinë që ta marrë seriozisht kërcënimin nga dikush që ka mbajtur armë me shurdhues”, ka thënë Murati.
Tahiri nuk e demantoi atë veçse tregoi disa nga pasojat me të cilat tha se po përballet për shkak të përmendjes së shpeshtë të armës me shurdhues.
“Duke përmendur ju shurdhueset, unë kam marrë një kërcënim, të cilin e kam denoncuar në Polici. Personi që më ka kërcënuar është në vuajtje të dënimit në Podgoricë, për vrasje”, ka theksuar Tahiri.
Deputetët ndër të tjera të enjten, miratuan tri ligje për FSK-në e Ministrinë e Mbrojtjes.