LAJMET E MBRËMJES

Abdixhiku rizgjidhet kryetar i LDK-së, Bislimi kundërshton moslejimin për të garuar

Pa asnjë kundërkandidat, Lumir Abdixhiku është rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin e dhjetë zgjedhor të kësaj partie. Ai fitoi pa asnjë votë kundër, pasi kandidatura e Faton Bislimit u refuzua nga Kryesia e kësaj partie. Bislimi, të cilit nuk iu lejua as ta merrte fjalën, tha se vendimi ishte antistatutar.

Me 333 vota për, Lumir Abdixhiku është rizgjedhur sërish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për një mandat.

Ai ishte i vetmi kandidat në garë, pasi Faton Bislimit iu refuzua kandidatura nga Kryesia punuese e LDK-së, meqë, sipas tyre, Statuti nuk lejon aplikime nga personat që nuk janë delegatë të partisë.

E, pasi zyrtarisht iu refuzua kandidatura, ai në shenjë pakënaqësie e lëshoi sallën.

Kreu i LDK-së tha se do ta ushtrojë këtë mandat katërvjeçar me sjellje rugoviste.

Abdixhiku deklaroi se zgjedhjet në këtë parti janë një festë dhe se Kuvendi i sotëm zgjedhor është përcaktues i fatit të Kosovës.

Ai para delegatëve të LDK-së e akuzoi qeverisjen Kurti duke thënë se Kosova vazhdon të pranojë goditje të vazhdueshme dhe se po udhëhiqet nga populistë.

E Faton Bislimi, të cilit iu mohua kandidatura, e ka quajtur antistatutar moslejimin nga LDK-ja që të garojë për kryetar të këtij subjekti politik.

“Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, sesa ofrimi i mundësive dhe inkluziviteti e jopërjashtimi, e jo kuvende që konfirmojnë dhe nuk zgjedhin. Zgjedhja konfirmon ballafaqim. Festa e LDK-së do të ishte më madhështore që në Kuvend do të debatonim edhe unë, edhe Abdixhiku”, ka thënë Bislimi.

Në këto zgjedhje i pranishëm ishte edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl. Ai tha se LDK-ja është partia që u nevojitet qytetarëve të Kosovës.

“Ajo që i duhet Kosovës është sjellje diplomatike për të fituar këto lloj njohje të shumicës së shteteve në këtë planet. LDK-ja historikisht dhe ajo tash me Abdixhikun është në gjendje ta bëjë në mënyrë diplomatike si duhet. LDK-ja e Abdixhikut di si të bëjë miq, që janë ata që i duhen Kosovës. E treta, Kosovës i duhen reforma të brendshme, në shëndetësi, arsim dhe çështje sociale, në shumë gjëra”, ka thënë Mandl.

Kjo është hera e dytë që Abdixhiku zgjidhet kryetar i kësaj partie. Për herë të parë ai u zgjodh në vitin 2021, pasi LDK-ja doli si partia e tretë në zgjedhjet nacionale, e që u përcoll me dorëheqjen e ish-kryetarit Isa Mustafa.