Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar Qeverinë për mosreagim pas Samitit të Bashkimit Evropian, në të cilin nuk pati vendim sa i përket liberalizimit të vizave.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për media ka bërë të ditur se kanë iniciuar një debat lidhur me, siç ka thënë, padrejtësitë që po i bëhen Kosovës.
“AAK e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe trajtimin joserioz të kërkesës sonë të drejtë për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave. Ajo që dimë është se kushtet e parapara nga Komisioni Evropian janë përmbushur tani e shumë vjet më parë... Shohim një mosreagim të Qeverisë karshi kësaj teme, sa ishin në opozitë kritikonin e sulmonin, tani që janë në Qeveri nuk pati asnjë reagim”, ka theksuar ai.
Tahiri ka thënë se qytetarët janë peng i politikës së brendshme të Bashkimit Evropian dhe jo peng i mospërmbushjes së kushteve për liberalizim.
“Ne e kemi për vizitë në Kosovë edhe emisarin për dialog, zotin Lajçak. Pyetja shtrohet, çka do t’iu thotë ai zyrtarëve të Qeverisë, partive parlamentare në raport me këtë temë. Nuk mjafton vetëm të ndjehet keq që nuk po ndodh, por duhet të veprohet në këtë temë. Kuvendi i Kosovës përmes iniciativës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të qartë për pozicionimin tonë drejt integrimit evropian, por njëkohësisht edhe për shtrirjen e disa pyetjeve, disa çështjeve të cilat janë me interes të dihen nga anëtarët e Parlamentit Evropian”, ka pohuar Tahiri.
Në Samitin e BE-së u dhanë deklarata optimiste për vënien në lëvizje të vendimmarrjes sa i përket liberalizimit, por nuk pati veprime konkrete drejt finalizimit të kësaj çështjeje.
Për liberalizim të vizave të Kosovës ka pasur përkrahje të Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian, që kishin konstatuar përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës, por që deri tash ka munguar vendimmarrja në Këshillin e Bashkimit Evropian.