Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja akuzon BE-në për injorim në lidhje me vizat, Qeverinë për mosreagim

Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e konsideroi të padrejtë sjelljen e Bashkimit Evropian karshi kosovarëve në lidhje me mosliberalizim të vizave.

Ai deklaroi të hënën se BE-ja ka sjellje injoruese ndaj Kosovës në këtë çështje, derisa tha se Qeveria nuk ka asnjë reagim.

“AAK-ja e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të BE-së në trajtimin joserioz të kërkesës sonë për të drejtë të lëvizjes së lirë. Kushtet e parapara nga Komisioni Evropian janë përmbushur. A është politikë sanksionuese që po i bëhet Kosovës apo Kosova është peng i politikës së brendshme në unionin evropian. Shohim një mosreagim të Qeverisë karshi kësaj teme. Mungesa e qasjes e Qeverisë në raport me liberalizimin e vizave është e habitshme dhe e çuditshme”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se partia në pushtet, sa ishte në opozitë e kritikonte BE-në “ndërsa tani s’ka asnjë reagim”.

Ai tha se lobi rus nëpërmjet Beogradit ka ndikuar në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian.

“Si grup do të iniciojmë debat parlamentar, një rezolutë në mënyrë që të adresohen këto çështje nga Parlamenti i Kosovës. Kosova pos që është gjeografikisht pjesë e Evropës, mirëpo edhe në procesin e reformave që kanë ndodhë, synimi është integrimi, reformimi i plotë dhe bashkimi i Kosovës në vendin ku na takon. Lufta në Ukrainë ia ka treguar fytyrën e vërtet secilit vend në BE. Si është e mundshme s’i Qeveri t’i vendosim sanksionet ndaj Rusisë, t’i pengojmë investimet e lindjes përmes Rusisë, por të mos ketë liberalizim të vizave. E pakuptueshme që vendi të mos ketë liberalizim”, shtoi Tahiri.

Deputeti i AAK-së potencoi se Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për pozicionimin e Kosovës në llidhje me integrimin evropian.