Arbëri

Opozita e vlerëson të padrejtë qëndrimin e Këshillit të BE-së për vizat, pushteti pret konfirmimin

Një ditë pas diskutimeve për liberalizimin e vizave për Kosovën në grupin punues të Këshillit të BE-së, kanë reaguar partitë politike. PDK-ja e vlerëson të padrejtë zvarritjen e procesit, AAK-ja thotë se duhet të kërkohet llogari e LDK-ja një pjesë të fajit ia lë Qeverisë. Në Vetëvendosje thonë se janë në pritje të konfirmimit të çështjeve të reja që janë ngritur në takimin e parë të këtij Këshilli

Partitë opozitare i kanë konsideruar të padrejta disa nga qëndrimet e grupit punues të Këshillit të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, që të enjten ka mbajtur takimin e parë. Ndonëse nuk janë publikuar detajet e takimit, përfaqësuesit opozitarë janë shprehur të zhgënjyer me kërkesat shtesë të disa vendeve të BE-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shpreson që vendimmarrje për vizat të ketë para fundit të vitit.

“Ju e dini që kriteret për liberalizim të vizave janë plotësuar zyrtarisht që nga viti 2018, është konfirmuar edhe në 2019, por është konfirmuar edhe dje. Pse nuk ka një vlerësim dhe një rekomandim pozitiv që të mos humbet kohë kjo, jo vetëm që është frustruese, por kjo është komplet e pakuptimtë dhe e paarsyeshme. Ne ende nuk i kemi marrë detajet konkrete se çfarë janë këto hezitime”, ka thënë Krasniqi.

LDK-ja fajin ia kanë lënë Qeverisë, derisa ka kërkuar që t’i adresojë kërkesat që do t’iu shtrohen.

“Më shqetëson fakti nëse Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion mbi kërkesat e reja të shteteve anëtare të BE-së, qoftë edhe kërkesa teknike sepse kërkesat e tilla nuk bëhen aty për aty në takime. Kjo lë të kuptohet se Qeveria jonë nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me shtetet anëtare veç e veç, por po ashtu e vërteton faktin se Qeveria e Kosovës është pa strategji në politikë të jashtme”, ka deklaruar Xhafer Tahiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

E Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se duhet të kërkohet llogari tek institucionet përkatëse.

“Është e pakuptimtë që Kuvendi dhe Qeveria të mos këtë një komunikim zyrtar, të kërkoj nga institucionet përgjegjëse pse po bëhet ky diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës. Sot, respektivisht dje u vendos edhe një kusht, nesër do të dalë edhe një shtet tjetër do të vendosë edhe një kusht ky trajtim jodinjitoz i Kosovës duhet të ndalohet. Drejtimi ynë dihet, është properëndimor, në politikën e jashtëm të sigurisë proamerikane, në agjendën evropiane 100 për qind pro Brukselit”, ka thënë ai.

E rezervuar në dhënien e një qëndrimi karshi qëndrimeve të takimit të Këshillit të BE-së, është shprehur shefja e deputetëve në pushtet, Mimoza Kusari-Lila.

“...tashmë është caktuar një datë kur vendet të cilat kanë propozuar ose kanë diskutuar çështjet që duan t’i ngritin në raport me liberalizimin e vizave janë kërkuar që ato të dërgohen me shkrim. Në këtë proces gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që të themi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave për qytetarë të saj dhe tashmë duhet të jemi bashkëpunues dhe të fokusohemi në ato punë dhe në ato angazhime të cilat ne na presin këtu në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

Të enjten, Kosova mori mbështetjen nga shumica e shteteve në Këshillin e BE-së, por nuk pati vendim për shkak të kërkesave shtesë nga Franca e përkrahur edhe nga Holanda, Belgjika, Danimarka e Suedia. Çekia, si kryesuese e radhës, ka kërkuar nga delegacionet që deri me datën 21 tetor t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.