LAJMET E MBRËMJES

Vulini e siguron Putinin për “aleancën” e Serbisë, i ankohet për Kosovën

“Situata në rajon është shumë e vështirë. Kemi tentime të njëanshme të Prishtinës që totalisht ta ndryshojë situatën në terren, ta shkelë Rezolutën 1244 dhe të tentojë të kryejë spastrim etnik të serbëve nga Kosova e Metohia”, ka thënë Vulini gjatë takimit me presidentin rus

Serbia është aleate e Rusisë dhe kurrë e për asnjë çmim nuk do t’i vendosë sanksione shkaku i luftës në Ukrainë, është garancia që zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka dhënë presidentit rus, Vladimir Putin.

Vulini e ka takuar Putinin të mërkurën në Vladivostok të Rusisë, në margjinat e një forumi ekonomik.
Ai e ka siguruar presidentin rus se Serbia nuk është veç partnere strategjike, porse edhe aleate e Rusisë dhe se për shkak të këtij qëndrimi Vulin ka theksuar se Beogradi zyrtar është vënë nën presion të jashtëzakonshëm.

“Mirëpo, Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime antiruse të kryhen prej territorit të saj”, ka thënë Vulin.

Ai e ka shfrytëzuar takimin me Putinin edhe për t’iu ankuar rreth Kosovës. 

“Situata në rajon është shumë e vështirë. Kemi tentime të njëanshme të Prishtinës që totalisht ta ndryshojë situatën në terren, ta shkelë Rezolutën 1244 dhe të tentojë të kryejë spastrim etnik të serbëve nga Kosova e Metohia”, ka theksuar zëvendëskryeministri i Serbisë.

Në Departamentin amerikan të Shtetit (DASH) kanë thënë më herët se qëndrimi amerikan ndaj Vulinit “dihet mirë” dhe se ai është nën sanksione amerikane. Paraprakisht, në Bashkimin Evropian (BE) kanë thënë se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe me procesin e anëtarësimit”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të paarsyetuar të Rusisë kundër Ukrainës”, kanë thënë në bllokun evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se vizita e Vulinit në Rusi nuk përbën “asgjë aq të tmerrshme”.

“Nuk i kemi shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar për askënd që të takohet me përfaqësuesit e Federatës Ruse”, ka thënë ai për REL-in. Vuçeviq ka shtuar se Serbia nuk e inkurajon luftën në Ukrainë dhe se nuk e mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës. Ai ka rikujtuar që edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si kryeministër i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë së fundmi në Moskë dhe është takuar me Putinin.

“Nëse Orbanit i lejohet, natyrisht që edhe Vullini mund ta takojë. Nuk shoh ku është ndryshimi apo qasja ndryshe”, ka thënë kryeministri i Serbisë.

Vulini ka qenë disa herë në Moskë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai është i njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane për “korrupsion dhe veprime destabilizuese” me qëllim të avancimit të agjendave dhe interesave të tij personale, duke i bërë dëm paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.