U caktohet masa e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për sulmin e së dielës në veri
Foto: Driton Paçarada\KOHA
Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Dushan Maksimoviqit e Bllagoje Spasojeviqit, të dyshuarve për vepra terroriste me rastin e sulmeve të së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ata janë të dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si dhe për kryerjen e veprave terroriste. E avokati i njërit prej të akuzuarve paralajmëroi se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit
U është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh Dushan Maksimoviqit e Bllagoje Spasojeviqit, të dyshuar për sulmet e së dielës në Banjskë të Zveçanit, në të cilat mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Prishtinës e aprovoi si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e kësaj mase. Po kjo masë iu caktua të hënën edhe të arrestuarit të tretë lidhur me rastin, Vladimir Tolliq, seanca dëgjimore ndaj tij është mbajtur në QKUK.
Që të tre janë të ngarkuar për veprat penale: “Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerjen e veprave terroriste”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve B.S. dhe D.M., të dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS-së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni 129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”,, thuhet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Dejan Vasiq, avokat i të dyshuarit Dushan Maksimoviq, paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.
“Ne do të parashtrojmë ankesë ndaj këtij vendimi dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje sesa që ka lidhje me veprën penale. Në këtë drejtim nesër do të bëjmë ankesë dhe do të shohin se si Apeli do ta shqyrtojë”, tha Vasiq.
E Bilana Maksimoviq, motra e të dyshuarit Dushan Maksimoviq, shprehu besimin në procesin hetimor.
“Absolutisht jam e sigurt se hetimi do të kryejë punën e tij dhe do të nxjerrë të vërtetën për vëllain tim. Jemi të gjithë me të”, tha Maksimoviq.
Mbështetur në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ata dyshohen se bashkë me një grup personash ende të paidentifikuar, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur e me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake, kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.
Sipas kërkesës, ata e bllokuan të dielën rrugën në Banjskë me dy kamionë, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë, e pastaj i sulmuan ata me granata dhe me armë, me ç’rast në urën afër Manastirit mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.