Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Banjska”, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim. Ata janë dënuar për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023. Sipas vendimit ata kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokoi urën në fshat, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Grupi serb sipas organeve të drejtësisë udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzurave të tjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjithçka që ndodhi sot – dënimi i terroristëve të “Banjskës”, reagimi i familjes Bunjaku e pritjet e institucioneve

1 muaj më parë / 24 pri 2026 19:12 Nga: Donisa Fazliu dhe Ardit Kika
Sulmi ne Banjske - denimi 24 prill

Photo: Driton Paçarada

Burgim i përjetshëm u është shqiptuar dy prej tre të akuzuarve të parë për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviqit e Vlladimir Toliqit. E, Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, lexoi verdiktin për të tre serbët pjesëmarrës në sulmin e shtatorit të 2023-tës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Vlladimir Tolliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 30 viteve”, tha Arrni.

Vetëm Maksimoviq nga të akuzuarit mori pjesë në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Gjyqtari Arrni tha se të akuzuarit së bashku me pjesëmarrës të tjerë të grupit, në role të ndryshme kanë hyrë në mënyrë të organizuar nga Serbia në territorin e Kosovës.

“Me dhjetëra të vetura të blinduara të mbushura me armë të rënda, municion, eksploziv, uniforma të kamufluara ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugët me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicione të tyre dhe pasi kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për të hequr kamionët dhe liruar rrugën në atë moment i kanë sulmuar me armë të rënda, ku te ura e fshatit ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.

Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe zyrtarët policorë Alban Rashiti e Çlirim Shaqiri, të cilët mbetën të lënduar gjatë sulmit.

Gjyqtari Arrni tha se anëtarët e grupit terrorist kishin qëllim aneksimin e veriut.

“E gjithë kjo është kryer me qëllim destabilizimin dhe shkatërrimin e strukturave themelore të Republikës së Kosovës dhe tentativën për shkëputjen e pjesës veriore të territorit dhe bashkimin e saj me Serbinë”, tha Arrni.

Vendimin e Themelores e mirëpriti prokurori special, Naim Abazi. Ai tha se përpjekjet për t’i vënë para drejtësisë edhe më shumë se 40 të akuzuarit e tjerë që gjenden në arrati, do të vazhdojnë edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

“Gjithë ata të cilët kanë urdhëruar, kanë financuar edhe kanë koordinuar këtë sulm, sulmin e datës 24 shtator 2023, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, tha Abazi.

Vendimin e Themelores e mirëpriti edhe Arianit Koci, avokati i familjes së heroit Afrim Bunjaku.

“Natyrisht, unë jam i kënaqur me vendimin e gjykatës, por jam edhe më i kënaqur që të akuzuarve ja u kemi mundësu si sistem të gjitha të drejtat procedurale edhe në fund tash e kanë marrë dënimin çfarë familja e Afrim Bunjakut edhe e ka parashiku”, u shpreh Koci.

Gjatë procesit gjyqësor, të tre të dënuarit i kanë mohuar akuzat.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. E ka bërë këtë, pasi prezencën e tij në sulm e dokumentoi Policia nëpërmjet xhirimeve me dronë.

Familja e Afrim Bunjakut e pakënaqur me dënimin e Maksimoviqit me 30 vjet burgim

Nën ankth dhe me sy të përlotur, familjarë të heroit Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë, e pritën shpalljen e aktgjykimit për sulmin më të madh terrorist që e ka përjetuar vendi që nga paslufta.

Djali i xhaxhait të rreshterit të vrarë policor e përshëndeti vendimin e trupit gjykues për dy të akuzuarit që u dënuan me burgim të përjetshëm. Por, Arton Bunjaku tha se familja ndihet e fyer që edhe i akuzuari i tretë, Dushan Maskimoviq, nuk e mori të njëjtin dënim.

“Mund të them nga këtu që ne ndihemi të fyer dhe të dëshpëruar, sepse do të ishte e drejtë që të gjithë ta marrin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, jo vetëm me 30 vjet. Ashtu që, nga këtu bëj thirrje që sa më parë të përgatitet ankesa drejt panelit, të cilët e gjykuan rastin”, tha ai.

Krahas dënimit që nuk është i kënaqshëm për familjen, djali i axhës së dëshmorit të Kosovës kërkoi drejtësi të plotë dhe angazhim edhe të bashkësisë ndërkombëtare për zbardhjen e të gjithë rastit të sulmit terrorist të 2023-tës.

“... kërkoj nga Republika e Kosovës dhe nga instancat ndërkombëtare që sa më parë ta sjellin edhe pjesën tjetër që sa më parë të sillen para drejtësisë dhe jo vetëm me 30 vjet, por me dënim maksimal të përjetshëm. Kjo është një fryrje për popullin e Kosovës, për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata të cilët janë heronj që vazhdimisht kanë qenë në mbrojtje të atdheut, të Republikës së Kosovës”, deklaroi djali i xhaxhait të Afrim Bunjakut.

Familjarët e tjerë të Bunjakut, që shkaku i emocioneve të forta nuk deshën të flasin para kamerave, shprehën pakënaqësi që udhëheqësi i sulmit terrorist, Milan Radoiçiq, nuk është sjellë para drejtësisë.

Radoiçiqi aktualisht strehohet në Serbi, ku, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, sulmuesit e Banjskës i kryen trajnimet për përdorim të armëve e edhe u pajisën me armatime e mjete shpërthyese të rënda.

Ndryshe nga dy të akuzuarit e tjerë, Dushan Maskimoviqi nuk u kap me armë zjarri, por Prokuroria Speciale pretendon se ai ka pasur rol organizativ në bazë të mesazheve që pretendohet se i dërgoi.

Ai dyshohet edhe për vendosjen e barrikadave në veri më 2022, për të cilin rast i dyshuar është edhe shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq. Që të dy dyshohen për veprat penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.

Autoritetet presin që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin në sulmin në Banjskë

Duartrokitjet e shoqëruara edhe me fishkëllima kanë shpërthyer në Kuvend nga deputetë të pushtetit e opozitës, kur gjatë punimeve të seancës plenare kryeparlamentarja Albulena Haxhiu kumtoi vendimin e Gjykatës, me të cilin dy të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa tjetri me 30 vjet burgim.

Haxhiu tha se drejtësia e plotë vihet, vetëm pasi para gjyqit të dalin të gjithë përgjegjësit.

Pas këtij kumti, lëshuan sallën deputetët e Listës Serbe, parti që e kishte nënkryetar Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin.

E, ligjvënësit shqiptarë e ata të komuniteteve joserbe i bënë nderime edhe rreshterit të Policisë, Afrim Bunjaku, që u vra në këtë sulm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë. Ai ka thënë se aktgjykimi konfirmon edhe përgjegjësinë që ka Serbia në sulm.

“Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë. Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion”, tha Sveçla.

E drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se institucioni që ai drejton do të punojë për t’i vënë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë, por ka shtruar nevojën edhe për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që ajo t’i dorëzojë të gjithë të dyshuarit, që kanë fletarrest.

“Ky është vetëm një hap i parë, e mbetet punë shumë e madhe, por në këtë rast duhet presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare edhe besoj institucioneve tona, që derisa ata të mos dorëzohen, të mos ndalemi në mënyrë të pareshtur të kërkojmë që ata të përgjigjen para institucioneve tona të drejtësisë”, deklaroi Hoxha.

Krahas 3 të dënuarve në shkallë të parë, autoritetet kanë arrestuar këtë muaj edhe një serb, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë. E, në shtator të 2024-s, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, me në krye Milan Radoiçiqin.

Lista Serbe s’e përballoi dënimin e terroristëve, lëshoi sallën e Kuvendit dhe del me reagim

1 muaj më parë / 24 pri 2026 18:58
Lista Serbe

Deputetët e Listës Serbe s’e kanë pritur mirë dënimin me burgim të përjetshëm të dy terroristëve të “Banjskës” dhe një tjetri me 30 vjet burgim. Ata e kanë lëshuar sallën e Kuvendit sapo që deputetët shqiptarë u ngritën në këmbë për të vlerësuar dënimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

E më vonë, kjo parti ka dalë me një reagim në të cilin ka dënuar vendimin e Gjykatës.

“Lista Serbe shpreh dënimin më të ashpër ndaj aktgjykimit me të cilin pjesëmarrësit në ngjarjet e Banjskës janë dënuar me dy burgime të përjetshme dhe një dënim prej 30 vitesh, pa paraqitje të provave të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale dhe pa arsyetim të qartë të veprimeve konkrete që kanë ndërmarrë të akuzuarit”, thuhet në reagimin e kësaj partie, transmeton “Kossev”.

E në një reagim tjetër, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e ka cilësuar vendimin si “të marrë nën urdhra politikë”.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar të premten me burgim të përjetshëm për rastin “Banjska”, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim. Ata janë dënuar për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023. Sipas vendimit ata kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokoi urën në fshat, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Grupi serb sipas organeve të drejtësisë udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë.

Familja e policit Bunjaku: Dënimi me vetëm 30 vjet burgim për Maksimoviqin, fyerje për Kosovën

1 muaj më parë / 24 pri 2026 16:23
Afrim Bunjaku

Arton Bunjaku, familjar i policit të vrarë në sulmin terrorist në Banjskë, Afrim Bunjaku, e ka quajtur fyerje dënimin prej vetëm 30 vjetësh burgim për Dushan Maksimoviqin.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot i dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Maksimoviqin me 30 vjet burgim. Sipas familjarit të rreshterit të vrarë, është dashur që të tre të dënohen me burgim të përjetshëm. Ai ka paralajmëruar ankesë për këtë dënim.

“Mund të them që ne ndihemi të fyer dhe dëshpëruar pasi që do të ishte e drejtë që të gjithë të marrin dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm dhe jo me 30 vite. Bëj thirrje që sa më parë të përgatitet ankesa drejt panelit që e gjykuan rastin. Kërkoj nga Republika e Kosovës dhe instancat ndërkombëtare që sa më parë të sjellin edhe pjesën tjetër të grupit të paraqiten para drejtësisë, dhe jo më me 30 vite por dënim me burgim të përjetshëm. Ky dënim është fyerje për popullin e Kosovës, për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata që janë heronjtë e gjallë që janë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë ai për KosovaPress.

Të tre të akuzuarit u dënuan për sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023. Sipas vendimit ata kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokoi urën në fshat, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Grupi serb sipas organeve të drejtësisë udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë.

Haxhiu: U dëshmua se sulmi ndaj rendit kushtetues nuk mbetet pa ndëshkim

1 muaj më parë / 24 pri 2026 15:32
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëheri kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i sotëm për dënimin e tre prej të akuzuarve për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 është dëshmi se sulmi ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit nuk mbetet pa ndëshkim. 

Megjithatë, ka shtuar Haxhiu, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, por se do të përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me Milan Radoiçiqin të dalin para drejtësisë. 

“Me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund. Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim”, ka shkruar Haxhiu.

 

Sveçla pas dënimit të tre terroristëve të “Banjskës”: Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse

1 muaj më parë / 24 pri 2026 15:20
xh

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i sotëm për burgim të përjetshëm ndaj dy terroristëve për rastin “Banjska” dhe dënimi për 30 vjet burgim për të tretin dëshmon se të gjithë të përfshirët në sulmin e 2023-tës duhet të marrin dënime maksimale. 

Ai ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte operacion i organizuar me mbështetje shtetërre nga Serbia, derisa ka kërkuar që kjo e fundit tani të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik. 

“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, ka shkruar ministri në Facebook.

Sveçla ka shtuar se dënimi ndaj tre terroristëve është hap drejt drejtësisë për sakrificën e heroit Afrim Bunjaku, i vrarë nga ai sulm. 

“Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion. Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se drejtësia për Banjskën do të përfundojë atëherë kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin.

 

Dy të akuzuar për “Banjskën” dënohen me burgim të përjetshëm, një me 30 vjet

1 muaj më parë / 24 pri 2026 15:07
banjska

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit për sulmin terrorist në “Banjskë”, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim. 

Sapsojeviq e Toliq nuk kanë qenë prezent në shpalljen e aktgjykimit, ndërsa Maksimoviq po. 

Dushan Maksimoviq, i dënuar me 30 vjet burgimim për rastin "Banjska". Foto: Driton Paçarada

Të tre janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast. 

Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. 

Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.

Foto: Driton Paçarada

Policia me masa të rrepta të sigurisë para shpalljes së aktgjykimit në rastin “Banjska”

1 muaj më parë / 24 pri 2026 14:11
policia-banjska

Photo: Driton Paçarada

Policia ka ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë para shpalljes së aktgjykimit në rastin “Banjska”. 

Aktgjykimi për këtë rast pritet të shpallët në orën 15:00. 

Vendimi do të merret ndaj Blagoje Spasojeviqit, Vladimir Toliqit e Dushan Maksimoviqit, që janë ne mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast.

Foto: Driton Paçarada - KOHA