Për 32 zyrtarët serbë të angazhuar me punë në Ministrinë e Arsimit nuk është bërë ndalesa e pagave, ani se kjo ministri e pati paralajmëruar këtë masë në shkurt, shkaku i mosparaqitjes së tyre në punë që prej vitit 2015.
Në raportimin para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, temë diskutimi në të cilin ishte Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit për MASHTI-n, ministrja Arbërie Nagavci bëri të ditur se këtyre zyrtarëve serbë u janë ekzekutuar pagat në mënyrë retroaktive, pasi që i janë rikthyer punës.
Ajo theksoi gjithashtu se ata janë obliguar që të raportojnë çdo muaj për angazhimin e tyre.
“Ne jemi siguruar që t’iu kërkojmë punë dhe raportim të rregullt. Kemi pasur një sërë diskutimesh me kryetarët dhe i kemi nënshkruar katër marrëveshje mirëkuptimi me katër komuna - me Zubin Potokun, Leposaviqin, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin. Në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar, këta zyrtarë tashmë i kryejnë detyrat e tyre të punës afër vendbanimeve të tyre”, tha Nagavci.
Në diskutimin mbi parregullsitë e evidentuara nga Auditori, Nagavci fajin e adresoi te qeverisjet e shkuara. Ajo tha se një prej gjetjeve të Auditorit ndërlidhet me projektin pesëmilionësh, të nënshkruar gjatë kohës së bashkëqeverisjes së PDK-së, AAK-së dhe NISMA-së.
“Vonesa prej 160 ditësh në pagesa ka ndodhur për shkak të projektit ‘Gjuha dhe Kompjuteri’, i cili është një projekt nga ish-qeverisja, jo nga ne. I njëjti projekt në Raportin e Auditorit 2020 ka konstatuar gjetje. Ne i kemi analizuar dhe unë personalisht kam dërguar padi”, tha Nagavci.
Projekti i përmendur nga Nagavci nuk u komentuan nga deputetët e opozitës. Në vend të kësaj ata komente patën për performancën e ministres Nagavci, për të cilën i kërkuan të jepte dorëheqje.
“Unë nuk e di pse nuk po jep dorëheqje, kjo po më bën shumë kureshtare. Ti e ke shkel Kushtetutën, ke dështuar dhe tash po vjen me na tregu se si duhet me menaxhuar arsimin, kjo është e pakuptimtë”, tha deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi.
“Zyrtarisht e ftoj Prokurorinë ex-office ta merr në hetim Raportin e Auditorit për vlerësimin e pasqyrave financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2021”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
Mbledhja e Komisionit u përcoll më pas edhe me tensione. Shkak për tensionimin është bërë deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, i cili deputetes së partisë në pushtet, Mirlinda Sadiku, iu referua me fjalën “papagall”.
Pas kësaj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën.