Një ditë pas dorëheqjes së Rifat Latifit nga posti i ministrit të Shëndetësisë, kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të flasë për arsyet se përse ata ndanë rrugët. I pyetur nga gazetarët, kreu i ekzekutivit ka ikur, duke refuzuar të përgjigjet. Gjatë ditës Kurti e Latifi janë takuar, por sërish nuk janë dhënë detaje. Deri në emërimin e një personi tjetër në këtë pozitë, Kurti e ka caktuar ushtruese detyre Dafina Gexha Bunjakun
Dafina Gexha për të dytën herë brenda 13 muajsh është bërë ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë.
Një ditë pas dorëheqjes së Rifat Latifit, kryeministri Albin Kurti e caktoi zëvendësministren Gexha në këtë pozitë, deri në emërimin e një personi tjetër.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet, Kurti refuzoi t’u përgjigjet gazetarëve për këtë çështje.
“Do ta takoj sot, do ta takoj sot”, ka thënë Kurti.
Gazetarët insistonin që të merrnin përgjigje nga ai. Në përpjekje për të ikur nga mediat, ai gaboi rrugën.
Më pas, i barrikaduar nga mbrojtja e afërt, u largua pa dhënë përgjigje.
Disa orë më pas, Qeveria e Kosovës njoftoi për një takim mes Kurtit e Latifit, nëpërmjet një komunikate për media. Aty u përmendën falënderimet e ndërsjella mes kryeministrit e ish-ministrit, por nuk u treguan arsyet që e dërguan në dorëheqje Latifin.
“Kryeministri i dëshiroi suksese në vijim, dhe shprehu vullnetin për mënyra të tjera për bashkëpunim në të ardhmen. Duke e falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, dr. Rifati shprehu gatishmërinë e tij dhe u zotua për vazhdim të mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë”, thuhet në komunikatë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media dorëheqjen e Latifit e ka cilësuar dështim të Qeverisë Kurti. Ai kryeministrin e cilësoi ministër të Shëndetësisë, të cilin e krahasoi me ish-ministrin Vitia e ish-ministrin Latifi.
“Tashmë është më se e vërtetuar se paaftësia qeverisëse mbetet kryefjalë e pushtetit aktual, e normalisht edhe sektori i shëndetësisë nuk bën përjashtim. Kanë kaluar 18 muaj nga puna e kësaj qeverie ku 3 ministra deri më tani përfshirë edhe Kurtin e kanë udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë. I pari ka qenë më i dobët se i dyti, e i treti pra Kurti është më i dobët se i dyti dhe i pari. Dorëheqja e doktor Latifit vjen si pasojë e dy faktorëve shtesë dështimin e Kurtit si kryeministër por edhe dështimin e Kurtit si ministër i Shëndetësisë. Mos të harrojmë se për këta 18 muaj kanë ndodhur një sërë dështimesh dhe padrejtësish, këto në kurriz të qytetarëve e pacientëve”, ka thënë Zemaj.
Në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, e kishte pasuar ish-ministrin Arben Vitia, i cili ishte tërhequr për shkak të garës për kryetar të Prishtinës. Latifi konsiderohet një nga mjekët shqiptarë me arritjet me të mëdha në lëmin e mjekësisë, por për 11 muaj menaxhim është kritikuar shumë si ministër.