LAJMET E MBRËMJES

Dogana rrit të hyrat, udhëheqësit e vlerësojnë rolin e saj në luftimin e kontrabandës

Kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar të premten Doganën e Kosovës. Derisa e kanë vlerësuar rolin e saj në luftimin e kontrabandës, Kurti e Murati kanë bërë të ditur se të hyrat për buxhetin e Kosovës nga Dogana janë rritur theksueshëm, krahasuar me vitin e shkuar.

Pesë milionë euro ka thënë të jetë vlera e mallrave të konfiskuara e të sekuestruara sivjet nga Dogana e Kosovës, kryeministri Albin Kurti.

Ai gjatë një vizite në këtë institucion, ka theksuar se kjo vlerë është për dyfish e gjysmë më e lartë sesa një vit më parë.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, përveç për gjenerimin e të hyrave, ka theksuar se Dogana garanton siguri për produktet të cilat hyjnë në Kosovë dhe për pamundësimin e kontrabandës me mallra.

“Siç e keni parë edhe ju, tashmë zëniet e produkteve të tyre, sekuestrimet, konfiskimet janë bërë çështje pothuajse e përditshme, përderisa në të kaluarën rrallë herë është dëgjuar për to. Ky është mesazh për ata që provojnë të bëjnë kontrabandë, është mesazh se tashmë nuk është e mundshme një gjë e tillë dhe iu kushton më shtrenjtë sesa të kalojnë nëpër kanalet zyrtare”, ka thënë Murati.

Performancën e sivjetme të Doganës e ka vlerësuar si më të mirë sesa gjatë vitit të shkuar edhe drejtori i saj, Agron Llugaliu.

“Dogana vazhdon të ketë një performancë pozitive krahasuar me vitin e kaluar sikur në fushën e të hyrave që tani për tani po mbledhim 14 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, kjo kur kemi parasysh se viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht pozitiv në trendët në krahasim me vitet paraprake”, është shprehur Llugaliu.

Krahas vlerës së mallrave të konfiskuara dhe të sekuestruara, shefi i Qeverisë ka bërë të ditur se janë rritur për 14 për qind edhe të hyrat nga Dogana për buxhetin e Kosovës.