Të hyrat që i ka gjeneruar Dogana sivjet janë 1.9 miliardë. Ato i kanë tejkaluar të hyrat e vitit të shkuar dhe projeksionet për 2025-tën. Sipas drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, ndikim në këtë pati rritja ekonomike dhe tatimet e paguara nga bizneset. E Gjermania dhe Shqipëria kanë qenë partnerët kryesorë të Kosovës për shkëmbim tregtar
Gjermania për import e Shqipëria për eksport janë partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.
Shteti gjerman është vendi me të cilin Kosova e ka bilancin më të lartë të tregtisë së ndërsjellë e që e kalon shifrën prej 1 miliard eurosh.
Gjatë prezantimit të këtyre të dhënave drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, i përmendi edhe Turqinë e Kinën në mesin e shteteve nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti.
“Eksportet me vendet kryesore që kemi pasur janë Shqipëria me 156 milionë, Maqedonia me 136 milionë, Gjermania 106 milionë, Zvicra 100 milionë, Serbia 60 milionë. Ndërsa sa u përket importeve e kemi Gjermaninë me 965 milionë, Turqinë me 903 milionë, Kinën me 892 milionë, Italinë me 359 milionë dhe Maqedoninë e Veriut me 344 milionë euro”, ka thënë Llugaliu.
Në konferencën vjetore Llugaliu tha se Dogana gjatë vitit gjeneroi të hyra prej 1.9 miliardë eurosh apo 135 milionë euro më shumë sesa vitin e shkuar. Sipas tij, këto shifra i tejkaluan edhe projeksionet prej 70 milionë eurosh.
E në këtë rezultat ai tha se ndikim patën rritja ekonomike dhe gatishmëria e bizneseve për t’i paguar tatimet.
Sipas Llugaliut, gjatë vitit është luftuar edhe ekonomia joformale, veçmas në veri, e ku tha se krahas kontrabandës është vërejtur se ka pasur edhe trafikim të qenieve njerëzore.
Ai theksoi po ashtu se Dogana zbuloi dhe sekuestroi mallra kontrabandë në vlerë të mbi 18 milionë eurosh e në të cilat përfshihen afër 400 kilogramë kanabis, 300 kilogramë eksploziv e deri në një milion euro para të falsifikuara.
“Pa dyshim, pjesa e veriut ka qenë problem i pazgjidhur një kohë të gjatë dhe është përdorur si strehë jo vetëm nga pjesa e kontrabandës, por edhe e formave të tjera të krimit. Ne kemi pasur raste të hetimit për kontrabandë dhe kemi gjetur se ajo pjesë është përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore. Të gjitha format e krimit e kanë pasur një shkallë më të lartë të sigurisë dhe normalisht që kanë ndikuar edhe në të hyra”, ka thënë Llugaliu.
E, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se të hyrat e mbledhura janë rezultat i luftës kundër kontrabandës.
“Vlen të theksohet se 98 për qind e vlerës së mbledhur vjen nga deklarimet vullnetare, gjë që është shumë e rëndësishme, pasi vetëm 2 për qind vjen nga kontrollet shtesë. Kjo dëshmon se shumica e deklarimeve janë të sakta dhe se kjo ka ardhur si rezultat i luftës së pakompromis ndaj kontrabandës dhe rrugëve të tjera ilegale, si dhe rritjes së kontrollit”, ka thënë Murati.
Murati tha se Kosova i rriti edhe eksportet e për të cilat theksoi se janë gati të prekin vlerën prej 1 miliard eurosh.