LAJMET E MBRËMJES

Rruga e Kosovës drejt NATO-s

Ky vit sa u përket njohjeve të reja do të jetë “interesant”, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Duke mos dhënë më shumë detaje, Gërvalla ka thënë se kanë më shumë sesa një iniciativë në këtë drejtim.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën u formua grupi ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO, kryediplomatja tha se afati nuk varet vetëm nga Kosova.

“Ne po synojmë që të hyjmë në një mekanizëm ekzistues dhe duhet ditur që mekanizmi ekzistues i ka rregullat e veta, afatet e veta, ne do punojmë që të arrijmë sa më shpejt, por afate nga institucionet e Kosovës nuk besoj që do të kemi, sepse varet edhe nga pala tjetër”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë datë as për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat, duke thënë se janë duke punuar në kërkesë.

Me propozimin e Gërvallës është miratuar edhe nisja e procedurave për blerjen e dy objekteve të ambasadave të Kosovës në Uashington dhe në Londër, për të cilat janë planifikuar rreth 9 milionë euro.

“Një plan më i detajuar se kur dhe si do të bëhet blerja e objekteve tona do të vjen së shpejti nga Ministria e Punëve të Jashtme. Natyrisht, sot nuk jam në gjendje të flas për shtetet e tjera, kemi kërkesa, kemi oferta të ndryshme, do të përqendrohemi në ato që do të mund t`i mbulojmë me buxhet dhe në ato që Kosova ka shkuar për të qëndruar përgjithmonë dhe nuk janë misione të përkohshme”.

Ekzekutivi ka vendosur, po ashtu, që të heqë vizat përkohësisht për shtetasit e Ukrainës, derisa është paralajmëruar edhe rifreskim i sanksioneve ndaj Rusisë.

E politika e jashtme ka qenë në fokus edhe të konferencës së PDK-së, këtë të mërkurë.

Ish-ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë më aktive sa u përket mundësive që, sipas saj, i janë krijuar nga situata në Ukrainë.

“Nga shkurti i këtij viti për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Rusia është suspenduar nga Këshilli i Evropës dhe me këtë rast Kosovës i është hapur një mundësi e re të cilën ne nuk duhet ta humbim. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përbën një përfitim të shumëfishtë dhe e ndihmon vendin tonë drejt fuqizimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me familjen e gjerë evropiane”, tha Çitaku.

Kabineti qeveritar ka përcjellë në Kuvend emrat e kandidatëve për kryetar e anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit e për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.