Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla: Kosova do të shënojë një prej rekordeve për anëtarësim të shpejtë në Këshill të Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Kosova do të anëtarësohet shumë shpejt në Këshill të Evropës.

Sipas saj, situata është në favor të Kosovës dhe se për këtë çështje “është bërë progres i mirë”.

“Ne kemi vendosur ta dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në maj dhe ka lëvizje në aspektin e trajtimit. Delegacioni ynë nga Kuvendi i Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare me të drejtë të plotë fjale dhe ky është një progres i mirë”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për televizionin publik.

Ajo ka thënë se shumë shtete në procesin e anëtarësimit kanë pritur me vite të tëra, por beson se në rastin e Kosovës, një gjë e tillë do të arrihet shumë shpejt.

“Besoj se Kosova do të shënojë një prej rekordeve për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës sepse mendoj se edhe atmosfera por edhe progresi i Kosovës e mundëson një gjë të tillë“, ka shtuar ministrja.

Edhe Gërvalla kërkon anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës Arbëri Gërvalla kërkon anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

Sa i përket pohimeve të palës serbe se Kosova është hequr nga agjenda në mbledhjen e 5 tetorit, ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron.

Duke komentuar raportet me Shqipërinë, Gërvalla ka thënë se mospajtimi është tek iniciativa e “Ballkanit të Hapur”.

“Diplomacia shqiptare ka qenë e angazhuar rreth pavarësimit të Kosovës, rreth njohjes dhe forcimit të shtetësisë kudo. Në këtë sferë nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi një temë, e cila nuk është për t’u fshehur e ku nuk pajtohemi - është Ballkani i Hapur dhe është qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj iniciative. Ne mendojmë se me refuzimin e Ballkanit të Hapur kemi pasur shumë të drejtë, sidomos duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike, por edhe brenda një familje vëllezërit dhe motrat nganjëherë nuk e ndajnë të njëjtin mendim”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka dërguar mesazh të qartë diplomatëve dhe politikbërësve në Shqipëri se rruga Tiranë – Beograd kalon përmes Prishtinës.

Edhe Gërvalla për anëtarësimin në KiE: Kosova gjithmonë duhet t’i mbipërmbushë kërkesat Arbëri Gërvalla për anëtarësimin në KiE: Kosova gjithmonë duhet t’i mbipërmbushë kërkesat

”I them koleges sime dhe të gjithë diplomatëve shqiptarë se duhet të jetë e qartë për Tiranën zyrtare, se rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe gjeografikisht edhe politikisht. Nganjëherë e kam përshtypjen që kjo duhet theksuar. Sidoqoftë, përkushtimi i diplomacisë së Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në përmirësimin e gjendjes së saj ndërkombëtare është i pandërprerë”, është shprehur Gërvalla.

Ajo ka thënë se në interes të rajonit dhe në interes të zvogëlimit rus në Ballkanin Perëndimor është shfuqizimi i iniciativës së Ballkanit të Hapur.