Dy të dyshuarve për aksidentin e së shtunës në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku mbetën të vdekur tre të rinj, Gjykata Themelore e Prizrenit ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve. E në rrjetet sociale disa grupe kanë publikuar xhirime të garave ilegale nëpër autostrada ku shihen edhe shumë spektatorë.
Video të garave si këto gjenden lehtë e janë plot në faqe të ndryshme në Facebook, të cilat organizohen kryesisht nëpër autostrada.
Në këto gara zakonisht marrin pjesë qytetarë të shumtë të cilët ndalen në shiritin emergjent nga ku i ndjekin e i filmojnë.
Si pasojë e një gare të ngjashme në autostradën “Ibrahim Rugova” të shtunën afër Prizrenit, mbetën të vdekur tre të rinj e tre të tjerë u lënduan.
Të hënën është mbajtur seanca dëgjimore ndaj dy të arrestuarve për këtë rast. Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarave Irfan Hoti dhe Arlind Syla.
“Merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët”, thuhet në kërkesë.
Ardit Gërvalla, qytetar nga Peja thotë se dëshmitar i garave të tilla ka qenë edhe ai, sipas tij, fituesit marrin edhe shpërblime.
“Në Komunën e Pejës, këto gara ilegale po0 mbahen fatkeqësisht, kulminacionin e kanë gjatë kohës së verës kur vijnë edhe bashkatdhetarët tanë nga vendet e Evropës dhe realisht mblidhen në një pompë të derivateve në magjistralen Pejë-Prishtinë aty edhe organizohen, negociojnë çmimet dhe pastaj edhe garojnë”, thekson Gërvalla.
Policia e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të kohës lidhur me numrin e garave të mbajtura e të parandaluar dhe sa persona janë arrestuar gjatë këtij viti për këtë veprimtari.
Avokati Musa Damati kërkoi qe autoritetet e rendit të shtrijnë hetimet edhe te zyrtarët policorë.
“Këtu mund të kemi të bëjmë me elemente edhe për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar që ndërlidhet me mosveprimin e zyrtarëve në drejtim të parandalimit të organizimit të garave të tilla”, tha Damati.
Në vendimin e Themelores theksohet se me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventualë.