Si pasojë e garave të jashtëligjshme me vetura, të dielën mbrëma kanë mbetur të vdekur tre të rinj në afërsi të Prizrenit. Policia ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i dytë në lidhje me aksidentin. Ndërsa ekspertë të komunikacionit rrugor thonë se gara të tilla janë të shpeshta dhe se ndodhin edhe brenda në qytete.
Si pasojë e një aksidenti trafiku, të dielën mbrëma kanë mbetur të vdekur tre të rinj në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Në Polici kanë konfirmuar që aksidenti ndodhi shkaku i një gare të jashtëligjshme që po zhvillohej në afërsi të Prizrenit.
Dy nga viktimat ishin pjesë e klubit futbollistik Gjakova, të cilët dolën me një njoftim kur u shprehën ngushëllime të afërmeve.
“Lajm i kobshëm për të gjithë ne. Sonte humbën jetën tragjikisht dy ish-futbollistët tanë, Molos Delija dhe Lordi Syla. Ne si kryesi e klubit Gjakova dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave u shprehim ngushëllimet më të sinqerta dy familjeve DELIA dhe SYLA për humbjen e dy më të dashurve të tyre”, thuhet në postimin e tyre.
Sipas të dhënave nga Policia, të ndjerit ishin spektatorë të garës së jashtëligjshme, ku një veturë humbi kontrollin dhe la të vdekur tre të rinjtë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i dytë në lidhje me aksidentin.
“Lidhur me rastin e aksidentit me pasoja fatale i ndodhur në autostradë, pas arrestimit fillimisht të një personi të dyshuar, është identifikuar dhe arrestuar edhe një person i dytë i dyshuar. Pas intervistimit të personit të dyshuar, me urdhër të prokurorit i njëjti ndalohet për 48 orë”, ka thënë Kelani, për Kohën.
Garat ilegale, sipas ekspertit të trafikut Bekim Ahmeti, janë shqetësuese. Ai tregon se ato janë të shpeshta edhe brenda qyteteve.
“I kemi parë duke garuar edhe në qytet, këtu në Prishtinë, në këtë rrugën mbrapa, garohet nga ora 2 e natës thuajse çdo natë. Gjithandej nëpër Kosovë garohet. Nuk e di pse është kjo ego të njerëzit, që të garojnë e të vetëvriten”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti tha se për të parandaluar këtë dukuri nuk duhet ndonjë investim i madh.
“Komuna dhe ministritë do të duhej të vendosen radarët statik, mobil dhe kamera. Kamera gjithsesi, kemi trumbetuar qe 10 vite për kamera, të cilat blihen thjesht, vendosen në qytet, e kanë një qendër monitoruese dhe pastaj mund të monitorohet se kush hyn në dritën e kuqe, kush tejkalon shpejtësinë”, ka shtuar ai.
E gazetari e analisti i Kohës, Enver Robelli, ka treguar se si ka vepruar shteti zviceran për ta ndalur këtë dukuri.
“Rasti i vdekjes së tre njerëzve që po shikonin në autostradë një garë me vetura të shoferëve të papërgjegjshëm duhet të alarmojë opinionin dhe sidomos politikën. Ndoshta duke u bazuar në modelin zviceran duhet plotësuar ligjin përkatës kosovar në mënyrë që vetura e shoferit të papërgjegjshëm të konsiderohet si ARMË. Që vetura të konfiskohet automatikisht dhe të kalojë në pronësi të shtetit. Që shoferit kriminal t’i ndalohet drejtimi i automjetit përjetësisht. Që mbikëqyrja sidomos e autostradave të Kosovës të jetë rigoroze dhe dënimet drakonike. Dhe, gjithsesi, shoferi i papërgjegjshëm duhet të shkojë e të kalojë disa vjet aty ku e ka vendin: NË BURG! Një ndër arsyet pse Zvicra para 10 viteve e ka ashpërsuar ligjin kundër shoferëve të papërgjegjshëm kanë qenë edhe disa shqiptarë që autostradat dhe rrugët e tjera të Zvicrës i shihnin si pista të Formulës”, ka shkruar Robelli.
KOHA ka pyetur Policinë e Kosovës se a hasin shpesh në gara të jashtëligjshme dhe se a kanë parandaluar ndonjë rast të tillë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.