Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

27 vjet thirrje për drejtësi për qindra të vrarë e të zhdukur në Krushë të Madhe e të Vogël

Krushë

Në 27-vjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe të Vogël, të enjten u mbajtën ceremoni e homazhe në nderim të qindra civilëve të vrarë, e dhjetëra të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovës. Udhëheqës institucionalë e partiakë edhe në këtë përvjetor përsëritën thirrjet për drejtësi

Masakrat në Krushë të Madhe dhe të Vogël ishin përpjekje për të shfarosur shqiptarët, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, të enjten në shënimin e 27-vjetorit të këtyre krimeve serbe.

Osmani, në ceremoninë e mbajtur fillimisht për masakrën e Krushës së Madhe, ku u vranë 241 civilë shqiptarë, ka folur edhe për zhdukurit me dhunë, që vazhdojnë të mbeten plagë të hapura për familjet dhe shoqërinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Edhe sot, 64 banorë të Krushës së Madhe figurojnë ende në listat e të zhdukurve me dhunë. Janë plagë të hapura, janë mungesa të papërshkrueshme që rëndojnë çdo ditë mbi familjet e tyre në radhë të parë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si komb e si shtet, dhe histori të ndërprera që presin akoma drejtësi. Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, intelektualit të papërsëritshëm, mendimtarit të guximshëm dhe zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej. Ai ishte një figurë politike dhe akademike që artikuloi lirinë si të drejtë dhe si domosdoshmëri. Zhdukja e tij me dhunë mbetet një nga plagët më të thella të kësaj historie, një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës”, ka thënë Osmani.

E ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, që është edhe i biri i Ukshin Hotit, Andin Hoti, është shprehur se masakrat e Krushës janë një ndër plagët më të mëdha të shqiptarëve.

“Krusha e Madhe është një nga plagët më të mëdha të historisë sonë. 241 të vrarë, 64 të zhdukur, përfshirë edhe babin tim. Një fshat i tërë i goditur nga një krim i organizuar shtetëror. Këto nuk ishin akte të rastësishme. Ishin pjesë e një plani të menduar dhe të zbatuar, plan për spastrimin etnik të Kosovës. Serbia gjakatare nuk u mjaftua me vrasjet. Ajo u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit, të fshehë trupat dhe të mbulojë të vërtetën. Dhe sot, pas 25 vjetësh, i mban të mbyllura në arkivat e saj të errëta përgjigjet për shumë familje të Krushës dhe të Kosovës. Edhe sot, në këtë vend, te varrezat, vendosen lule mbi varre të zbrazëta”, ka thënë ai.

Kryetari i Rahovecit, pjesë e të cilit është Krusha e Madhe, Smajl Latifi, ka theksuar se të vrarët të gjithë ishin civilë, përfshirë edhe fëmijë, gra e pleq.

“Rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur. Prandaj ishte sakrifica që duhej bërë; në të kundërtën do të lëngonim edhe për shumë vite në robëri. U vranë gra e fëmijë, pleq e të rinj, të pafajshëm dhe krejt të pambrojtur e të paarmatosur. Ata vetëm një faj kishin, ishin shqiptarë. Duke djegur e zhdukur gjurmët e këtij krimi makabër, serbët menduan se aty ku nuk ka kufoma nuk ka krim. Qenë gabuar rëndë, sepse populli nuk harron asgjë”, ka thënë Latifi.

Në masakrën e Krushës së Vogël janë vrarë 113 civilë shqiptarë. Nga ceremonia për kujtimin e martirëve të këtij fshati, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se mizoria e serbëve nuk ka përfunduar me vrasjet.

“Duhet thënë që mizoria nuk përfundoi me masakrimin. Qindra shtëpi u rrafshuan bashkë me objektet e besimit dhe trashëgimisë kulturore, në një përpjekje për të zhdukur çdo gjurmë të jetës dhe identitetit. Tentativa për t’i zhdukur gjurmët, për t’i djegur trupat, për t’i fshirë provat, ishte përpjekje për të zhdukur edhe kujtesën. Ky krim ishte pjesë e operacionit të strukturuar shtetëror serb, i njohur si Ministria e Punëve të Brendshme serbe, me formulën cinike: ‘pa trupa s’ka krim’”, ka thënë Haxhiu.

Fjalime e homazhe për të vrarët kanë bërë edhe liderë të tjerë institucionalë e partiakë.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është shqetësuese që ende mungon drejtësia për të vrarët e të zhdukurit, përderisa janë duke u gjykuar ish-udhëheqësit e UÇK-së.

“Besoni, është krejt e logjikshme të shprehet shqetësim pse nuk ndodh drejtësia; njëkohësisht është e drejtë të shprehet shqetësim si ka mundësi që ende gjykohet UÇK-ja. S’ka lidhje kush është, a e ka emrin Ramush, Fatmir apo dikush tjetër, a e ka Hashim, Kadri, Jakup apo Rexhë, por UÇK-ja, njerëz që kanë luftuar për të mbrojtur veten. Është shumë e pashpjegueshme e gjithë kjo”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë 27-vjetor, në Krushë të Vogël u rivarros Ajvaz Shehu, që ishte vetëm 16 vjeç në kohën e luftës kur u vra. Eshtrat e tij janë gjetur para tetë vjetëve.

Përgatiti: Elda Islami