Në Kosovë kanë arritur zarfet me votat nga diaspora. Nga mbi 18 mijë pako të verifikuara deri tani, më shumë se 15 mijë janë aprovuar, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në komunat, kryesisht ato më të mëdha, procesi i numërimit po ecën ngadalë për shkak të problemeve teknike
Më shumë se gjysma e votave nga diaspora janë verifikuar dhe shumica e zarfeve janë aprovuar pas tërheqjes së pakove me 33 mijë fletëvotime, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2,358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.
Elezi ka njoftuar se në nëntë Qendra Komunale të Numërimit është përmbyllur procesi i numërimit, kryesisht në komunat e vogla, ndërsa në disa qendra më të mëdha, procesi ka shkuar ngadalë.
Në Prishtinë, deri në orën 17:30, sipas të dhënave në platformën e KQZ-së, janë numëruar vetëm 15% e votave për Kuvend Komunal. Në Prizren procesi i verifikimit e numërimit ka shkuar në 9%, në Malishevë vetëm 1%, e në Podujevë 16.81%.
Islam Demolli, menaxher i Qendrës Komunale të Numërimit në Podujevë ka thënë se dinamikën e punës e kanë penguar problemet me lidhjen e internetit.
“Ditën e parë kemi pasur disa probleme me rrjetin e internetit, për shkak të këtyre problemeve nuk kemi pasë mundësi që të fillojmë drejtpërdrejt me numërim. Ditën tjetër, pra të martën, kemi filluar normalisht dhe siç po e shihni të gjitha ekipet janë duke punuar me kapacitet të plotë”, ka thënë Demolli.
Pas përfundimit të verifikimit e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë procesi i njëjtë për votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.