Janë bërë tetë vjet nga miratimi i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit e më shumë se një vit prej kur Kuvendi Komunal i kësaj komune ka marrë vendim për themelimin e zyrës që do të merrej me zonën historike. Por Komuna ende nuk e ka funksionalizuar atë. Për këtë të premten ka reaguar organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”.
Sipas kësaj organizate, në vendimin e Kuvendit të Komunës shkruhet se Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit do të funksionojë si zyrë e veçantë në kuadër të Zyrës së kryetarit të Komunës së Prizrenit. Parashihej që kjo zyrë të ketë udhëheqësin dhe dy zyrtarë. Ndërsa për zbatim të këtij vendimi, Kuvendi kishte obliguar Zyrën e kryetarit të Komunës.
Sipas reagimit të “Ec Ma Ndryshe”, në përgjigjen që Komuna i ka dhënë kësaj organizate, ka përmendur disa arsye për mosfunksionalizimin e deritanishëm të Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit.