Kulturë

“Zgjoi” i kthehet Kosovës si festë suksesesh e shans për “Oscar”

Kur kanë mbetur fiks edhe dy muaj deri te lajmi nëse do të vazhdojë rrugëtimin drejt çmimit më të madh, “Zgjoi” i Kosovës i është rikthyer vendit. Një gala-shfaqje ka organizuar Presidenca të premten mbrëma. Projektorët e “Cineplexxit” tashmë janë gati ta shfaqin për publikun e gjerë. Festë suksesesh të deritanishme e përkrahje, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani këtë organizim. “Një film që s’të lë të marrësh frymë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sipas regjisores së filmit, është rast historik për Kosovën. “Rast më të mirë për të depërtuar e për t’u nominuar në ‘Oscars’ s’kemi pasur”, ka thënë Blerta Basholli. Aty kanë qenë edhe Fahrija Hoti, ajo që e inspiroi jo vetëm filmin, sikurse edhe Yllka Gashi që e portretizon mjeshtërisht gruan stoike

Mbi supet e saj rëndon dhimbja e humbjes së më të dashurit, bashkëshortit. Madje humbja s’ka as definim, sepse nuk dihet nëse ndonjëherë rikthimi, qoftë edhe si mbetje mortore, do t’i trokasë në derë. Me gjakftohtësinë e shprehësisë emocionale, por me vullkane ndjesish përbrenda, Fahrije Hoti bëhet ikonë e të qenit stoike përballë çdo sfide, paragjykimi e linçimi shoqëror të mentalitetit patriarkal. Për të nuk ka ndarje punësh, por ajo flet përmes veprave të saj. Historinë e bujshme, duke qenë kryeprotagonistja e aktivizimit të grave të Krushës dhe rebelimit të tyre kundër pritjes, e solli në tri sallat e kinemave të “Cineplexxit” në Prishtinë mbrëmjen e së premtes jetësimi i rolit nga Yllka Gashi në filmin e metrazhit të gjatë, i cili ka arritur të shënojë histori ndërkombëtare me 12 çmime të dëshmuara – “Zgjoi”.

Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Kosovës – “Zgjoi” i rikthehet publikut vendas pas premierës kombëtare në festivalin “PriFest” në gushtin e sivjetmë dhe një shfaqjeje në fillim të këtij muaji në “Femart”. Ka ardhur me tapet të kuq për ekipin e me përkrahje për rrugëtimin e mëtutjeshëm deri te çmimi më i madh në botën e filmit. Lista e ngushtë me 15 filma, për atë që njihet si kategoria ndërkombëtare, do të publikohet më 21 dhjetor. Festë suksesesh të deritanishme e përkrahje e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani gala-mbrëmjen e organizuar për filmin. “Një film që s’të lë të marrësh frymë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Të dy e kanë takuar edhe fizikisht, atë që ia dha rrëfimin “Zgjoit” – Fahrije Hotin.

“Na nuk dimë me u gëzu për shkak të pjesës që ne kemi vuajtë e që na mungojnë njerëz, e kam burrin e zhdukur sot e asaj dite, por nganjëherë mendoj që ndoshta është një gjë e mirë që (përmes filmit) lë prapa diçka te gjeneratat e reja”, ka thënë për KOHËN, Fahrije Hoti.

Ajo ka thënë se pret që historitë e grave të vazhdojnë të shpalosen, sepse, siç thotë ajo, “s’ka pasur vetëm Krusha luftë, por krejt Kosova”.

“Do të kërkoja nga gratë e tjera që të mos e mbyllin asnjëherë në vete atë që kanë përjetuar gjatë 1999-s e deri te 2021-a, që t’i tregojnë botës se lufta ka lënë pasoja”, ka përfunduar ajo, duke shtuar se “Zgjoi” s’ka asgjë mangu nga jeta e saj dhe e grave të Krushës.

Presidentja: “Sukseset e juaja nuk do të kenë të ndalur...”

Për presidenten Osmani organizimi i shfaqjes, që për publikun e gjerë do të nisë prej 28 tetorit, pos festimit të suksesit të deritanishëm është një urim që të njëjtin ritëm të vazhdojë ta mbajë.

“Sukseset e juaja nuk do të kenë të ndalur, sepse kur një histori dhimbjeje e frymëzimi, sakrificë e përkushtimi, humbjeje dhe triumfi, sikurse është historia e zonjës Fahrije dhe grave të Krushës, interpretohet me aq mjeshtëri nga aktorët tanë të jashtëzakonshëm, në krye me Yllka Gashin dhe sillet në ekran me profesionalizëm nën regjinë e një regjisoreje të shkëlqyeshme si Blerta Basholli, nuk ka si të jetë ndryshe”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur se është hapur një kapitull i ri për kinematografinë kosovare. Ka përmendur edhe “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Pa vend”, “Vera andrron detin”, duke i cilësuar se “po na e kënaqin zemrën me të arriturat”.

“Ju tashmë jeni ambasadorët tanë dhe nëpërmjet jush Republika e Kosovës po hap kapitull të ri të sukseseve. Është kënaqësi që t’i kremtojmë sukseset së bashku e uroj që ashtu siç e hapën filma të tërë rrugën para jush që edhe ju të shndërroheni në burim frymëzimi për krijues të shumtë të rinj, të cilët në fushën tuaj do të vazhdojnë sukseset”, ka thënë presidentja Osmani.

Filmi mbi njëorësh është vlerësuar edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili për KOHËN ka thënë se nuk ka asnjë skenë të tepërt dhe se është film “shumë i ngjeshur që nuk të lë të rrahësh qerpikë e as të marrësh frymë”.

“S’kam parë asnjë film tjetër te ne që aq shumë thuhet me fytyra që s’flasin. Ky film është për gra që janë shumë më tepër se gra, për fëmijë që nuk janë të vegjël, për burrat që mungojnë, për mjaltin e specat, për Krushën e Madhe, për të kaluarën që nuk shkon, për të ardhmen që nuk vjen, për familjarët e të pagjeturve që lufta për ta s’ka përfunduar, është pasion dhe sinqeritet i jashtëzakonshëm i regjisores Blerta Basholli”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, filmi kosovar tanimë po e fiton frymën neorealistike dhe këtë po e bën nëpërmjet regjisoreve.

Se filmi vazhdon të jetë frymëzim, producenti i filmit, Yll Uka, ka thënë se e bën të lumtur krejt ekipin. “Ngjarja që ai shtjellon po vazhdon të fuqizojë dhe inspirojë shumë gra anembanë kombit”, ka thënë Uka, para shfaqjes së filmit.

E ajo e cila mori kritika pozitive për mënyrën e interpretimit të rolit nga audienca, e madje edhe nga vetë Fahrije Hoti, aktorja Yllka Gashi, te “Zgjoi” ka debutuar me rol në metrazh të gjatë.

“Ka qenë periudhë e vështirë, emocionale, por edhe çliruese. Në ditët kur kishte skena emocionale dhe kur ato përfundonin, anëtarët e ekipit ishin të përlotur”, ka thënë ajo për KOHËN. “Është karakteri që e përçon krejt ngjarjen, gjithçka ka qenë e veçantë, për mua ka qenë e rëndësishme ta nderoj figurën e Fahrije Hotit. Kur e ka parë filmin i ka pëlqyer shumë, më ka thënë: ‘bash ke ndejtë mrroltë si unë, m’u doke që po e shoh veten’. Ai është komplimenti më i madh i mundshëm”, ka thënë Gashi.

Ai i cili e jetësoi djalin e Fahrije Hotit, Edonin e vogël mes sinqeritetit fëmijëror, ka qenë Mal Safqiu, i cili luan për herë të dytë në një film pas rolit në “Rruga”.

“Së pari është dashur të hyj në detaje për jetën e Edonit dhe Fahrijes, por pas disa ushtrimeve të skenarit dhe me ndihmën e ekipit e kam pasur të lehtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq ajo që i gjithi ekipi i “Zgjoit” po e bën në vazhdimësi është thirrja për ta parë e promovuar filmin te të tjerët, në mënyrë që rrëfimi emocional dhe realiteti kosovar të marrin jehonë.

“Është rast historik për Kosovën, sepse rast më të mirë për të depërtuar e për t’u nominuar në ‘Oscar’ s’kemi pasur”, ka thënë për KOHËN regjisorja Blerta Basholli.

Sipas saj, është e rëndësishme që jo vetëm banorët vendorë, por edhe diaspora ta shohin sa më shumë këtë film, në mënyrë që të arrihet qëllimi drejt nominimit në “Ocars”.

“Të realizohet një film është punë e vështirë, është investim shumëvjeçar e financiar, mezi e kemi bërë buxhetin total dhe në fund kur filmi nuk ecën mirë, është shumë vështirë për ta bërë filmin tjetër”, ka thënë ajo, e cila fatmirësisht ka pasur një përvojë të mirë me “Zgjoin”, që po ia hap dyert edhe për rrugëtime të reja filmike.

Image
Një pjesë e ekipit të filmit “Zgjoi” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të premten mbrëma në “Cineplexx”

Yllka Gashi: “Fahrije Hoti na ka inspiruar të bëjmë film për të”

Në mesditën e së premtes u mbajt premiera e filmit për gazetarë, të cilët pas rrëfimit më shumë se njëorësh patën rastin që t’i merrnin përgjigjet e drejtpërdrejta nga një pjesë e ekipit.

Yllka Gashi, e cila ka qenë e përfshirë në këtë projekt të metrazhit të gjatë që nga viti 2011, ka thënë se nuk ka qenë i lehtë portretizimi i një gruaje stoike siç është Fahrije Hoti.

“Kam jetuar një kohë të gjatë me dëshirën për ta luajtur zonjën Fahrije”, ka thënë aktorja, e cila ka marrë lëvdata për mënyrën e jetësimit të rolit. “Ka qenë pak e lodhshme emocionalisht me bartë gjithmonë atë ndjenjën e dhimbjes dhe pasigurisë që e ka në raport me burrin e pagjetur, megjithatë me një regjisore të mirë si Blerta dhe udhëzimet që i kemi pasur, besoj që kemi arritur të bëjmë diçka të mirë”, u shpreh ajo.

Ka thënë se personazhi kryesor ka qenë udhërrëfyes jo vetëm për gratë e Krushës, mirëpo edhe për ekipin e filmit.

“Na ka inspiruar të bëjmë film për të, kështu që njerëzit mund ta marrin atë mesazhin shpresëdhënës, që sado jeta mund të jetë e rëndë, ajo ende përballet me pikëpyetje të mëdha për fatin e burrit të saj, ende nuk ka pranuar as eshtrat, ende s’e di ku e ka burrin”, ka thënë ajo, duke qenë se ky film edhe portretizon gjendjen e familjarëve të të zhdukurve pas luftës së fundit në Kosovë.

Sipas saj, Fahrije Hoti është bërë pasqyrim i besimit se ia vlen të luftosh për diçka në jetë, qoftë kjo për veten apo për njerëzit më të dashur të jetës.

“Pavarësisht shumë paragjykimeve e pengesave nga rrethi e shoqëria ka gjetur forcë për ta ngritur veten intelektualisht e të pavarësohet materialisht”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq faktin që Fahrije Hoti ka qenë inspirim edhe për të, e pranoi edhe regjisorja.

“Është pikërisht zonja Fahrije ajo që në shumë momente kur jam ndier e lodhur e kam menduar se ajo s’do të ankohej asnjëherë, më ka inkurajuar personalisht”, u shpreh Basholli, duke shtuar se shpreson që kjo të jetë edhe inkurajim për “Oscars”.

“Shpresoj që filmi të hapë një diskutim për çështjet gjinore e për patriarkatin. E dimë që një film nuk mjafton, por Fahrija kur ka nisur me biznesin ka bërë më shumë se kaq, sepse i ka afruar të gjitha ato gra. Ajo ka bërë ndoshta më shumë se çdo kampanjë vetëdijesuese”, u shpreh ish-drejtoresha e Kulturës në Prishtinë.

Gjatë procesit të realizimit të filmit, Basholli ka thënë se ka sakrifikuar shumë, mirëpo që tash pas 12 çmimeve ndërkombëtare, ia vlen.

Blerta Basholli: “Është garë shumë e madhe dhe kemi nevojë për kampanjë të madhe...”

“Unë nuk kam qenë shumë optimiste as në ‘Sundance’, sepse konkurrojnë shumë filma të mirë nga e gjithë bota, por kur na pranuan thashë se duhet të jemi të kënaqur, mirëpo ne i morën tri çmime”, ka thënë, duke e ngritur një paralele për shpresat e saj për nominim në ‘Oscars’. “Është garë shumë e madhe dhe kemi nevojë për kampanjë të madhe. Konkurrojnë shtete të cilat kanë buxhete dhe ekipe më të mëdha se ne”.

Ajo ka thënë se pavarësisht mbështetjes institucionale e shtetërore, sërish “buxheti është i vogël dhe është shumë e vështirë ta realizojmë një film”.

“Ne kemi fatin që pas ‘Sundance’ kemi formuar një ekip goxha të mirë promovues në Amerikë, jemi duke punuar si të ishte i garantuar nominimi”, ka thënë Basholli.

Producenti i filmit, Yll Uka, ka thënë se synimet nuk përfshijnë vetëm nominimin në “Oscars”, por edhe në EPPA, BAFTA dhe një sërë garash të tjera të famshme amerikane.

“Kampanjës do t’i paraprijë lëshimi i filmit në kinema, që fillon më 5 nëntor në New York, pastaj në Los Angeles. Deri më tani është siguruar lansimi në kinema të 15 shteteve të tjera të Amerikës, por janë duke u konfirmuar tutje”, u shpreh ai.

Shpenzimet për kampanjat e “Zgjoit” nuk janë të pakta, meqë emra eminentë po qëndrojnë prapa saj. Por, pavarësisht kësaj, ende nuk ka mbështetje të konfirmuar institucionale.

“Kemi bërë kërkesë, por ende nuk kemi përgjigje konkrete, kemi biseduar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe janë duke u koordinuar me institucionet e tjera që kësaj radhe të ndahet një buxhet më i madh. Jo vetëm kësaj radhe, por është duke u planifikuar një herë e përgjithmonë puna e buxhetit të promovimit të filmave, jo vetëm për ‘Oscars’, por sidomos për të, që secili film që kandidon ta ketë buxhetin e vet”, ka thënë producenti.

Producenti tjetër, Valon Bajgora, ka thënë se “Zgjoi” që nga 28 tetori do të shfaqet për publikun e gjerë në kinematë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.

“Po u kërkojmë mediave e gazetarëve që të informohet publiku sa më shumë, të vijnë e ta shikojnë filmin, sepse më të vërtetë është për t’u shikuar. Na vyen mbështetja e secilit prej jush”, ka qenë thirrja e tij, e që të njëjtën kërkesë e pati secili prej tyre.

Po ashtu, për të parën herë Basholli foli për projektin e ardhshëm, i cili është autobiografik, rreth jetës së saj si adoleshente në Prishtinën e viteve ‘90.

“Unë mendoj që kemi thënë shumë pak deri tash dhe mendoj se tash është koha që kinematografia të tregojë tregimet tona, sepse kemi shumëçka për të diskutuar përmes filmave tanë”, ka thënë plot shpresë regjisorja Basholli për filmin, i cili ka nisur rrugëtimin realizues dhe që zhvillimi i skenarit është përkrahur nga Zvicra.