Kulturë

Premiera kombëtare e “Zgjoit” vjen me lajmin se është kandidat për nominim në “Oscarin” Evropian

Pas sukseseve në festivale të njohura, filmi “Zgjoi” është shfaqur edhe para publikut vendas. Filmi është pritur me lot krenarie për personazhet e ekipin dhe dhembje për fatin akoma të pazbardhur të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë

Filmi “Zgjoi” u konsiderua si një rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë. Të shumtë janë ata që me padurim e kanë pritur shfaqjen e tij në vend. Si për t’ua plotësuar dëshirën, të paktën për një natë, “Zgjoi”, nën regji e skenar të Blerta Bashollit, që po bën një rrugëtim të suksesshëm – të cilin e nisi në fillim të këtij viti kur në “Sundance Film Festival” u shpërblye në mënyrë të trefishtë – ndaloi edhe në Prishtinë. Të martën mbrëma u dha premierë kombëtare në “PriFest”, duke shënuar nisjen e edicionit të sivjetmë të festivalit me traditë 13-vjeçare.

Filmi shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të një gruaje nga fshati Krushë e Madhe, Fahrije Hotit, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur Yllka Gashi. Filmi është pritur me lot krenarie për personazhet e ekipin dhe dhimbje për fatin akoma të pazbardhur të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Lotët nuk i mbajti as regjisorja Blerta Basholli.

“Ne po qajmë sonte, e Fahrija edhe familjet që i kanë personat e pagjetur qajnë çdo ditë dhe i presin çdo ditë familjarët dhe ende Fahrija dhe shumë të tjerë nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Krusha e Madhe, por as Kosova e as jetët e njerëzve nuk do të ishin të njëjta pa gratë si Fahrije Hoti, pasi puna e tyre, siç ka thënë ajo, ka bërë që të perceptohen ndryshe gratë dhe që puna e tyre t’i shërbejë shoqërisë si frymëzim.

“Gratë si Fahrija e kanë gjetur forcën për të punuar, fillimisht për fëmijët e tyre, siç thotë edhe Fahrija: ‘Që të mos na shkojnë në rrugë të këqija, se tani bohet vonë’. E kanë gjetur forcën për të mbijetuar përkundër paragjykimeve, pengesave e shumë vështirësive të tjera që i kanë pasur fillimisht si gra”, ka thënë ajo.

Vetë Fahrije Hoti falënderoi Gashin për portretizimin fisnik që i ka bërë.

“Faleminderit ekipit të filmit, jam shumë e emocionuar që e kam parë filmin e që aty janë portretizuar të gjitha ato që unë por edhe ne gratë e Krushës së Madhe i kemi përjetuar”, ka thënë ajo.

Zhdukja e burrit të saj në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi. Shumë prej tyre si Kabashi për herë të parë e kanë parë filmin.

“Kam pasur dëshirë që filmin ta shohim në ekran të madh dhe besoj që do të ketë shikueshmëri të madhe pasi njerëzit e kanë pritë për një kohë të gjatë këtë film”, ka thënë ai gjersa ka shtuar se tregimi sjell triumfin e grave krushiane.

Basholli ka mjeshtëruar një rrëfim ngashënjyes e krejtësisht klasik sa i përket tejkalimit të fatkeqësive. Sipas regjisores Zana Hoxha, filmi është për një rezistencë të jashtëzakonshme të një gruaje si Fahrije Hoti.

“Ajo është një personazh botëror, një histori botërore e një rezistencë, një ringjallje e një fuqie të gjetur e cila nuk është fuqi vetjake por e ndarë me shumë gra të cilat me të vërtetë e kanë kthyer Krushën në një vend simbolik të kësaj ringjalljeje”, ka thënë ajo. Sipas saj, Basholli tashmë ka arritur që me filmin debutues të metrazhit të gjatë të lërë gjurmë si regjisore edhe në vend, por edhe në kinematografinë botërore.

“Zgjoi” është cilësuar si një dramë e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Një tregim që sipas aktorit Shkumbin Istrefi ka mbajtur qe disa muaj gjallë kërshërinë për ta shikuar.

“Kam pritë me padurim me e pa për vetë faktin se ka qenë edhe në ‘Sundance’ dhe i ka fituar tri çmime. Kureshtja ishte e lartë dhe të gjitha ato pritjet e mia i ka tejkaluar. Mendoj se është një film i mrekullueshëm edhe si film, skenar, por edhe rrëfim”, ka thënë ai gjersa ka pagëzuar veçanërisht aktoren Yllka Gashi. Vetë aktorja e cila tani jeton në New York të Amerikës nuk ka pasur mundësi që të jetë e pranishme në këtë premierë kombëtare.

Për aktorin Enver Petrovci, personazhet e filmit tregojnë fuqinë dhe zgjuarsinë që kanë gratë në vend.

“Filmi zgjoi një atmosferë pikëlluese, por edhe gëzimi. Pikëlluese për ngjarjen që ka ndodhur në Krushë dhe gëzim sepse doli një film i bukur dhe një fitore e zonjës Fahrije. Madje, nuk e di pse nuk dola në skenë i paftuar, por kisha nevojë të thosha se gratë shqiptare janë udhëheqëse të kombit tonë, e të gjitha gjërave”, ka thënë ai.

Shfaqja e filmit në Kosovë ka ardhur me lajmin e mirë se filmi është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Producenti Yll Uka ka thënë se kanë punuar shumë për të arritur deri te sukseset që veçse kanë nisur t’i korrin.

“Është një lajm i mirë që jemi selektuar ndër filmat e parë që kanë me hy në garë dhe kanë për t’u votuar për filmin më të mirë të Evropës, regjinë më të mirë e aktoren më të mirë, e kështu me radhë. Kemi punuar shumë në këtë drejtim por edhe në distribuimin e filmit dhe kemi arritur diçka që nuk e kanë arritur filmat kosovarë më parë sa i përket distribuimit pasi filmin e kemi dërguar në më shumë se 50 vende”, ka thënë ai. E cak ndonjë çmim në “European Film Awards” e ka edhe filmi “Pa Vend”. Filmi i shkurtër nga Kosova, me regji të Samir Karahodës, është kandidati i Festivalit të Cannes për këtë çmimet e kësaj akademie.

“Zgjoi” është shfaqur njëkohësisht në tri ekrane. Në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një ekran të vendosur në hyrje të Teatrit dhe në “Kino Armata”. Është bërë e ditur se së shpejti do të nisë shfaqja e filmit edhe nëpër kinematë e vendit. E edicioni i sivjetmë i “PriFest-it” do të zgjasë deri më 29 gusht.