Kulturë

Ekipi i “Zgjoi” rikthen vëmendjen te gratë e Krushës

Regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli, por edhe personazhi që rrëfeu si inspirim, Fahrije Hoti nga Krusha, aktorja Yllka Gashi dhe producenti Valon Bajgara përmes një takimi virtual, janë bërë bashkë për herë të parë për të biseduar së bashku për rrugëtimin e filmit. Por, qëllimi i vërtetë i këtij takimi ishte që të bëhej më shumë për të ndihmuar gratë e Krushës së Madhe

Ekipin e filmit “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, e bëri bashkë historia e Fahrije Hotit, një krushiane e cila ia del të qëndroi bashkë me shoqet e saj, që të nisin një biznes me ajvar. Gratë, përkundër dhimbjes për humbjen e familjarëve të tyre në luftën e fundit në Kosovë, skamjes dhe paragjykimeve të rrethit, ia dalin që nëpërmjet punës të krijojnë një jetë me të mirë për vetë dhe familjet e tyre. Sidoqoftë, për ekipin që një pjesë të sfidave të këtyre grave i ktheu në film, e pastaj në një histori suksesi për kinematografinë e Kosovës, përkrahja për këto gra nuk duhet ndalur asnjëherë. Për këtë arsye, pas suksesit të trefishtë në Sundance Film Festival – ku mëngjesin e 3 shkurtit mori Çmimin e Madh të Jurisë, atë të audiencës dhe Çmimin për regjinë - ekipi i filmit u kthye përsëri të komuniteti që i shërbeu si frymëzim për projektin filmik. Të shtunën organizuan një takim virtual me ekipin e filmit: regjisoren Blerta Basholli, Fahrije Hotin, aktoren Yllka Gashi si dhe producentin Valon Bajgora me qëllim që të mblidhnin të holla pikërisht për gratë e Krushës. 10 dollarë kushtoi blerja e biletës për të ndjekur takimin në “Zoom” si dhe një link tjetër u bë i qasshëm për donacione.

Regjisorja Blerta Basholli ka ndarë me ndjekësit e transmetimit fazat nëpër të cilat ka kaluar deri të realizmi i filmit. Ajo ka treguar se si para 10 vjetëve kishte parë një storie televizive për Fahrije Hotin dhe që atëherë e kishte ditur se dëshironte që të bënte një film për të. Kuptohet, nëse ajo do të pranonte diçka të tillë. Pasi që atëherë ishte me studime në Amerikë ka thënë se ishte çuditur se si një grua që përpiqej të mbante familjen e saj, paragjykohej aq shumë nga shoqëria.

“Është një film prej Kosove. Pastaj përkundër gjitha dhimbjeve që kalon karakteri nëpër film, në fund e ka ndjenjën e shpresës dhe fuqizimit të gruas, që siç e thotë edhe zonja Fahrije është tregimi i saj, i grave të Krushës, por edhe i grave të Kosovës të cilat kanë kaluar nëpër këto sfida, por që janë shumë të forta”, ka thënë Basholli.

Ka shtuar se për gratë e Krushës duhet treguar më shumë kujdes të gjithë.

“Gjitha këto gra të Krushës edhe sot e kësaj ditë, shumica prej tyre ende nuk e dinë ku i kanë bashkëshortët dhe nuk mendoj që kemi bërë mjaftueshëm, as si individë e as si shtet, pasi që deri këtu kanë ardhur me forcat e veta, pa u ndihmuar as unë si person, por as shteti në përgjithësi dhe mendoj se filmi është një tregim inkurajues për të gjithë, edhe për burrat dhe djemtë”, ka thënë ajo.

E Fahrije Hoti ka treguar se nuk kishte pasur aspak dyshime kur i ishte propozuar që të bëhej një film bazuar në jetën e saj.

“Asnjëherë nuk kam pasur dyshime që a duhet të bëhen filma apo jo, por e kam pritur me kënaqësi që historia e grave të Krushës të dokumentohet. Ne çdo herë jemi munduar që të bëjmë diçka më ndryshe e të mos presim lëmoshë. Jemi munduar dhe kemi punuar për një jetë me të mirë për ne dhe për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se asnjëherë nuk i ka fshehur as të mirat e as të këqijat që i ka përjetuar gjatë luftës. “Çdo herë ato i kam ndarë me të tjerët që së paku të dëgjohet zëri i grave të Krushës”, ka thënë ajo. Ka shtuar se është ndarë e kënaqur me gjithë filmin. Ka treguar se në veçanti i ka lënë mbresa loja e aktores Yllka Gashi.

“Të ecurit, mënyra e punës, të folurit dhe më së shumti më ka pëlqyer ai karakteri im i mërroltë. Edhe pjesa kur është duke vozitur më ka pëlqyer, pasi që më ka kopjuar mua, pra ka shumë gjëra që përshtaten me karakterin tim dhe më vuajtjet tona, pasi që nuk kam qenë vetë, kemi qenë një grup i grave që kemi punuar bashkë”, ka thënë ajo e lumtur dhe krenare që historia e grave të Krushës është dokumentuar në një film.

“Gjeneratat e reja të mos e harrojnë luftën dhe të mos e shohin vetëm bardh , të kujtojnë se dikush e ka dhënë jetën për këtë ditë”, ka thënë ajo.

E aktorja Yllka Gashi, e cila u lidh përmes një videolidhje, ka shtuar se pa marrë parasysh se çfarë oferta do t’i vijnë në të ardhmen, roli i Fahrijes do të mbetet më i dashuri për të. Ka thënë se që nga bisedat e para me regjisoren, ka jetuar duke e ëndërruar veten në këtë rol.

“Më ka përcjellë ajo dhimbje gjatë gjithë kohës, por të them të vërtetën ka qenë një lloj terapie edhe një lloj çlirimi personal, për krejt çka kalon Fahrija nëpër film nëpër krejt çka ka kaluar ajo në jetën e përditshme, por edhe unë si çikë e vogël në Kosovë”, ka thënë Gashi e cila jeton në New York.

Ka shtuar se roli ka qenë fizikisht, por edhe emocionalisht shumë i lodhshëm, pasi që i është dashur që të gjurmojë në kujtimet e luftës.

“Unë kam qenë shumë e vetëdijshme çfarë përgjegjësie kam. Ka qenë roli i parë kryesor për mua në një film dhe kam dashur me e nderu figurën e zonjës Fahrije, aty e kam gjetur energjinë. Nëse ajo ka mundur në rrethana tepër të vështira në jetë me e përballu dhimbjen për burrin e vet, skamjen, thashethemet e komunitetit dhe përsëri me gjetë forcë me e vazhdu jetën edhe me i motivu gratë e tjera qysh nuk mundem unë si aktore mos me e përballu”, ka thënë ajo.

Producenti Valon Bajgora ka thënë se procesi ishte i gjatë dhe me batica e zbatica. Ka shtuar se me të lexuar skenarin, e ka ditur se duhet realizuar filmin. Gjatë bisedës me shikuesit janë ndarë edhe disa sekuenca të filmit.

“Zgjoi” mori vlerësime pozitive nga kritikët e medieve të njohura ndërkombëtare. E kinematografët në vend e vlerësuan atë e si mundësi të artë që Kosova duhet ta shfrytëzojë. Për ta “Zgjoi” dhe suksesi i tij është thirrje për shtetin që të investojë më shumë në kulturë e në art

Për ekipin e filmit, shteti njëlloj si gratë e Krushës duhet që t’i përvishet punës. Kësaj radhe jo vetëm për të përkrahur kinematografinë, por edhe për të ndihmuar gratë e komunitetit që ishte frymëzim për filmin që vulosi suksesin më të madh në kinematografinë e vendit.