Arkeologët kanë rënë në gjurmë të një gjetjeje sensacionale. Sipas të dhënave, në Strikçan të Bulqizës në Qarkun e Dibrës, është zbuluar varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri. Ky zbulim, i realizuar gjatë projektit kërkimor–shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, përfshin një monument me përmasa mbresëlënëse, rreth 9 me 6 metra, me një dhomë funerale 2,4 metra të lartë dhe elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë. Për këtë zbulim, ka shkruar ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Sipas raportimeve në monument është gjetur një mbishkrim dygjuhësh kushtuar individit të varrosur, Gellianos dhe perëndisë Jupiter. “Ky mbishkrim përbën të parin e këtij lloji të zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës”, ka shkruar Gonxhja.

Ky monument përveç arkitekturës të veçantë përmbante dhe të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike, ku për herë të parë zbulohet një mbishkrim romak në zonën e Dibrës, bilingual, i cili i kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit.
“Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur. Varri është ideuar në tri ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale”, ka shkruar ai.
Sipas arkeologëve, muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike. Përveç pjesës nëntokësore funerare, arkeologët kanë evdientuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mausoleum.
“Zbulimet nuk ndalen këtu, por në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar i cili pritet të analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij. Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë. Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s.”, shkruhet për këtë zbulim në lokalitetin rreth 50 kilometra nga Tirana.