Kulturë

“Zani” i malësisë gjurmon me tinguj shqip

Këngëtari Mentor Haziri e ka promovuar albumin e tij me titull “Zani”. Secila nga këngët e albumit i këndon një pjese të veçantë të historisë shqiptare dhe më së shumti “Zani” i Hazirit i këndon malësisë. “Albumi ‘Zani’ është një zë nga malësia, zëri im sepse unë kam qenë në bend me ‘Kthjellu’ para disa vjetësh dhe kur kam dalë solo është zëri im që këndon aty, prandaj kam dashtë me e përfshi zërin e malësisë, motivet e historisë së malësisë, Shqipërisë së epërme siç është Gegnia dhe zëri im që i këndon ato këngë”, ka thënë ai

Historia dhe legjendat shqiptare rrëfehen si një përrallë melodike. “Vajza e Vuthajve”, “Mara” e “Festa” janë vetëm disa prej këngëve të albumit “Zani” të këngëtarit Mentor Haziri që u promovua të premten në sheshin e qytetit të Ferizajt në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 150-vjetorin e qytetit.

Haziri para publikut doli bashkë me “Keli’s Band” nga Tirana në bashkëpunim më të cilët e ka sjellë albumin. Para se të fillonte interpretimin e këngëve të albumit, ai këndoi hitet “Diçka” e “Mundohem ta harroj”. Me këngët e reja vjen në një stil më ndryshe prej atij që e njeh publiku. Ka një tis elegant të etnos që thuret me pop.

“Vajza e Vuthajve” qe kënga e parë e albumit që Haziri ia shpalosi publikut. Është këngë që ai e veçon. “Një prej këngëve që mua më pëlqen më së shumti në album është ‘Vajza e Vuthajve’, është një këngë me histori goxha interesante. Unë e kam vizituar fshatin Vuthaj dhe më ka befasuar pamja e atij fshati, është përrallë, gjithë ato ujëvara, e ka Syrin e Kaltër dhe është një majë atje që e quajnë ‘Maja e Vajzës’ dhe aty jam inspiruar”, ka thënë Haziri.

Të gjitha këngët e albumit “Zani” Haziri ka thënë se janë të frymëzuara nga malësia. Të këndosh për historinë e ka vlerësuar sfiduese, por realizimi ashtu siç e ka menduar, ka thënë se i ofron emocion të veçantë. E ka përmendur edhe bashkëpunimin e producentë nga Irlanda dhe “Keli’s Band”, për të cilin grup ka thënë se është shumë të përafërt me idenë e albumit “Zani”.

“Është pak sfiduese sepse kur e trajton historinë në muzikë duhet të kesh shumë kujdes për shkak se mund të keqpërdoret lehtë, mund të bësh gabime pa dashje. Por për fat të mirë me këtë orkestër i kemi sjellë në mënyrën ashtu siç kam dashtë, gjithmonë duke e pasur parasysh që ky album është orkestruar nga irlandezët, nga muzicientë të famshëm dhe nga producenti Dave Mccune. Prandaj e kam zgjedhë orkestrën e Kelit”, ka thënë Haziri.

Përveç tjerash, “Zani” vjen edhe si debutim i Hazirit si solo-këngëtar pas shumë vitesh karrierë me grupin “Kthjellu” dhe me “Zanin” e tij ai ka thënë se po bën edhe thirrje për përkrahjen e kulturës dhe muzikës së pasur shqipe.

“Albumi ‘Zani’ është një zë nga malësia, zëri im, sepse unë kam qenë në bend me ‘Kthjellu’ para disa vjetësh dhe kur kam dalë solo është zëri im që këndon aty, prandaj kam dashtë me e përfshi zërin e malësisë, motivet e historisë së malësisë, Shqipërisë së epërme siç është Gegnia dhe zëri im që i këndon ato këngë, kështu që kjo ka qenë arsyeja që kjo të jetë edhe një thirrje për përkrahje sa më të madhe të kulturës dhe muzikës tonë shqiptare që e kemi shumë të pasur”, ka thënë Haziri.

Brikel Guga udhëheqës i “Keli’s Band”, ka thënë se koncerti i mbrëmjes të së premtes në Ferizaj ishte kurorëzim i një kapitulli bashkëpunimi.

“Ishte konkretizimi i një pune goxha të gjatë të Mentorit, të menduar dhe të sjellë në një formë më aktuale, më të kohës gjithmonë duke e pasur motivin shqiptar si alternativë dhe si mundësi. Mentori është nga të paktët këngëtarë që vazhdon të mbajë një sens le të themi patriotik të kthyer dhe të përkthyer në muzikë të mirë me elementë shqiptar”, ka thënë Guga.

Ai e ka vlerësuar si pjekuri profesionale mënyrën se si Haziri e ka sjellë albumin e “Zani”.

“Kjo vjen gjithmonë si një pjesë e një pjekurie të një artisti, këngëtari, instrumentisti. Kalon fazat e veta të punës, kur Mentori ka bërë një rrugë të gjatë. Ka kaluar nga rocku, ka bërë rryma të tjera muzikore ndërsa vjen sot me një rrymë të tillë pop dhe mund të themi edhe etno-pop. Domethënë kjo vjen si një seriozitet i një këngëtari dhe vjen momenti që ai ka krijimtarinë e vet ose bën bashkimin e vokalit të vet me krijimtaritë e ndryshme të autorëve të mirë të cilët kanë një lloj pritshmërie ose një lloj kimie me njëri-tjetrin”, ka thënë Guga.