Aty ku më parë kanë dominuar sonatat dhe teknikat e interpretimit pianistik, këtë herë ishte një zë që këndonte për fëmijërinë, për nënat, për dashurinë dhe për bilbilin që “nxjerr tinguj në gjuhën e trashëguar”. Me një qetësi të madhe mes skenës dhe audiencës, dyshja Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq solli disa prej këngëve më të rralla të komunitetit arbënesh të Zarës, shumicën prej të cilave Bushiq i kishte dëgjuar prej gjyshes së vet
Në mbrëmjen e pestë të edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, skena e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare mori një trajtë tjetër. Ajo u zhvesh nga formaliteti klasik i netëve të mëhershme dhe u mbështoll me thjeshtësinë e zërit dhe tingullit të kitarës. Aty ku më parë kanë dominuar sonatat dhe teknikat e interpretimit pianistik, këtë herë ishte një zë që këndonte për fëmijërinë, për nënat, për dashurinë dhe për bilbilin që “nxjerr tinguj në gjuhën e trashëguar”.
Me një qetësi të madhe mes skenës dhe audiencës, dyshja Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq solli disa prej këngëve më të rralla të komunitetit arbënesh të Zarës, shumicën prej të cilave Bushiq i kishte dëgjuar prej gjyshes së vet. Me shqipen e katundit Arbanas që sot tingëllon si një relikt i gjallë, ajo këndoi këngë që janë më shumë se muzikë, teksa Melita i dha jetë shoqërimit muzikor përmes kitarës, duke e pasuruar çdo këngë me një shtresë të re ndjeshmërie. Ajo ishte jo vetëm interpretuese, por edhe aranzhuese e të gjitha pjesëve të performuara, duke ndërtuar një mozaik të kujdesshëm mes zërit të traditës dhe formatit të një performance bashkëkohore.
Solistja Bushiq është muzikologe e diplomuar në Akademinë e Muzikës në Zagreb dhe ka një karrierë të gjerë si interpretuese, pedagoge dhe kritike muzikore. Zëri i saj i butë dhe interpretimi i ndjeshëm me ngjyresa mesdhetare janë mishërimi i një përkushtimi të gjatë ndaj këngës, që ka shoqëruar gjithë rrugëtimin e saj profesional. Ndërsa kitaristja Ivkoviq, e formuar në Akademinë e Muzikës në Zagreb, është e njohur për një krijimtari që shtrihet nga muzika klasike deri te jazzi, me një gjuhë të veten kompozicionale që paraqet elemente nga kultura të ndryshme.
Programi i mbrëmjes është titulluar “Bërbili. Këngë të harruara të arbëneshëve të Zarës” dhe ka sjellë një përzgjedhje këngësh tradicionale të komunitetit arbënesh që prej shekujsh jeton në qytetin bregdetar të Zarës në Kroaci. Të gjitha pjesët, të kënduara nga Dina Bushiq dhe të aranzhuara e të interpretuara në kitarë nga Melita Ivkoviq, janë mbështetur në melodi dhe tekste të trashëguara, që në këtë formë skenike marrin frymë të re. Në mesin e tyre u përfshinë këngë si “Jam Arbënesh”, “Ni merje kam Vana”, “So e dua nanen”, “Bërbili” e “Moj e bukura More”, përderisa ndërthurja mes zërit të pastër të solistes dhe tingullit të ngrohtë të kitarës së Melit krijoi një përvojë dëgjimore të rrallë.
Pas përfundimit të koncertit, Dina Bushiq theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë muzikore arbëneshe në Kosovë, si një lidhje e gjallë që prej tre shekujsh.
“Është shumë e rëndësishme për ne që ta promovojmë muzikën dhe kulutrën arbëneshe në Kosovë. Kemi lidhje të arta që po na bashkojnë për 300 vjet histori. Arbëneshët kanë ardhur para 300 vjetësh në Zarë dhe çfarë na ka mbetur prej tyre nuk është shumë, por kemi mbledhur gjithçka dhe kemi krijuar një projekt të tërë të ri nga ajo që ka mbetur dhe shpresojmë që gjeneratat e reja do t’i dëgjojnë këto këngë dhe t’i këndojnë ato në të ardhmen”, ka thënë Dina Bushiq për KOHËN.
Duke reflektuar mbi atmosferën e mbrëmjes, Bushiq vlerësoi ngrohtësinë e publikut kosovar, duke theksuar se reagimi i tyre është një dëshmi e fuqisë emocionale që këto këngë të vjetra dhe gjuha shqipe e ruajtur nga arbëneshët vazhdojnë të ngjallin edhe sot.
“Audienca këtu është gjithmonë e mrekullueshme, kur i sheh njerëzit që ngihen në këmbë, na bëhet zemra mal dhe krijohet një atmosferë shumë e ngrohtë, sepse ngjallim emocione te njerëzit me interpretimet tona dhe me performancat tonë dhe sidomos me variantet e vjetra të shqipes dhe me këngë e melodi të vjetra, që ndoshta disa prej tyre i kanë ditur qëmoti”, është shprehur ajo.
Për të, kjo ishte hera e parë në “Chopin Piano Fest”, por jo takimi i parë me Prishtinën.
“Është hera e parë që marrim pjesë në ‘Chopin Piano Fest’ dhe hera e tretë në Prishtinë. Më pëlqen Prishtina shumë, ushqimi juaj dhe mentaliteti i njerëzve: shumë mendjehapur, mikpritës dhe ka shumë të rinj”, ka përshkruar ajo.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës për bilbilin në tri gjuhë: arbëneshe, turke dhe boshnjake.
“Kjo këngë në arbënisht flet për zogun që këndon, për bilbilin,” ka thënë Dina Bushiq, duke sqaruar se në boshnjakisht ajo shndërrohet në një këngë dashurie, ndërsa në turqisht merr kuptime krejtësisht të tjera. Ishte pikërisht ky shumëkuptim, i përhapur nëpër Ballkan, që e frymëzoi Bushiqin ta sjellë në forma të ndryshme, pasi kishte zbuluar një dokumentar nga një regjisore bullgare që e trajtonte këtë temë.
“A është kjo diçka që na bashkon apo që na ndan? Për mendimin tim, është diçka që na bashkon,” u shpreh ajo, duke theksuar bukurinë e faktit që sot mund të interpretohen e të rizbulohen këto këngë me lirshmëri dhe krenari, veçanërisht ajo në versionin arbënisht të “Bërbilit”.
Për Melita Ivkoviqin, mbrëmja solli një emocion të veçantë – jo vetëm për shkak të interpretimit të projektit përpara një audience që e kupton thellë rrënjën e këngëve të interpretuara, por edhe për shkak të një kapitulli të ri artistik në karrierën e saj.
“Ishte një natë e veçantë dhe gjithashtu ndjenjë e veçantë të performojmë këtë projekt arbënesh para njerëzve që në fakt e kuptojnë. Për mua, projekti ‘Bërbili’ që e kam bërë me Dinën zë një vend të veçantë në zemër dhe në karrierën time, sepse duke qenë kitariste klasike, kjo qe hera e parë që e prezantoj veten edhe si aranzhuese dhe kompozitore, kështu që kam dhënë më të mirën prej vetes për këtë projekt”, ka zbuluar në fund të koncertit kitaristja Ivkoviq.
Ivkoviq e përshkruan projektin “Bërbili” si një udhëtim që i ka bashkuar me “njerëzit më të mahnitshëm, muzikantë e artistë bashkëpunues” dhe që i ka çuar në “vendet më të mrekullueshme – e do të vazhdojë të na çojë”. Ajo e ndan me përkushtim edhe anën më pak të dukshme të procesit krijues: “Na ka marrë dy vjet, sepse e kemi krijuar me kujdes – çdo provë është diskutuar, inçizuar, merrnim shënime dhe ndërronim, fshinim ose fillonim prej të parës”. Ishte një rrugëtim i gjatë, por i ndërtuar me dashuri dhe durim, që shpaloset në çdo notë të programit.
Drejtoresha ekzekutive e Festivalit, Besa Luzha, e ka vlerësuar mbrëmjen e pestë si një kthesë të veçantë pas katër netëve të para të dedikuara recitaleve klasike me standarde të larta. “Ishte shumë bukur,” është shprehur ajo, duke theksuar se për herë të parë këngët e njohura në versione popullore u rikthyen me një “ngjyrim klasik, të përpunuara për kitarë”.
“Kishte një ngjyrim pak më ndryshe pas katër mbrëmjeve të para me programe e recitale me kërkesa të nivelit jashtëzakonisht të lartë artistik, tamam recitale klasike. Ambasadorja ka propozuar prej vitit të kaluar që Dina dhe Mel, do të ishte mirë të performojnë në koncert, ishte shumë bukur sepse këto këngë ndoshta i kemi dëgjuar në ndonjë version qoftë popullor ose ndonjë version tjetër, por këto i kanë sjellë me një ngjyrim klasik, të përpunuara për kitarë dhe ishte një mbrëmje me të vërtetë shumë e bukur. Një himn për këngën shqipe, e cila ndër shekuj po mbijeton”, ka thënë drejtoresha për KOHËN.
Ky recital i veçantë nuk ka kërkuar aftësi teknike të një mbrëmjeje tipike pianistike – ai ka kërkuar të mbahen veshët të hapur dhe zemrat të ndjeshme. Ishte një natë kur muzika nuk vjen nga partiturat, por nga shpirti, dhe ku çdo fjalë e kënduar, përtej bukurisë së saj gjuhësore, sjell me vete historinë e një komuniteti që ende flet shqip – ndonëse në një formë që pak veta sot e njohin.